Jo vetëm në Kubë, diplomatët amerikanë sëmuren dhe në Austri

Untitled collage 2021 07 18T085613.427 1100x620

Qeveria amerikane po heton me seriozitet një seri incidentesh shëndetësore në kryeqytetin austriak që ka përfshirë diplomatët e saj dhe pjesën tjetër të stafit.

Më shumë se 20 diplomatë amerikanë kanë raportuar simptoma të njëjta me të ashtuquajturën “Sindroma e Havanës” që kur presidenti Joe Biden mori detyrën në janar të këtij viti. Kjo sindromë është ende e pashpjeguar, por shkencëtarët amerikanë dyshojnë se ajo është shkaktuar nga rrezatime mikrovalësh të drejtuara.

Rastet e para të kësaj “sëmundje” u raportuan në Kubë në vitet 2016-2017. Diplomatët amerikanë në Havana në atë kohë u ankuan për humbje ekuilibri, dëgjimi dhe ankth. SHBA akuzoi Kubën për këto “sulme”, gjë që u mohua kategorikisht, duke çuar në rritjen e tensioneve mes dy vendeve.

Rastet e ngjashme në Vjenë u raportuan për herë të parë nga gazeta “New Yorker” të premten dhe më pas u konfirmuan dhe nga Departamenti i Shtetit që shtoi se një hetim ka nisur për rastet në fjalë.

Vjena për një kohë të gjatë ka qenë qendër e aktiviteteve diplomatike dhe ka pasur një reputacion si qendër e spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë.