Sazani, ishulli i gjembave

Ky është ishulli i Sazanit. Aktualisht është ishulli i askujt, ishulli i mbetur peng nga historitë e shkuara aty. Por, Sazani mund të jetë ndryshe dhe për këtë A2 ka udhëtuar drejt Vlorës.

Izolimi që pësoi bota në vitin 2020 prej pandemisë për disa riktheu në vëmendje një Shqipëri të izoluar, një vend nga ku nuk mund të dilje. Mendoni një vend brenda një vendi të izoluar. Ai ishte ishulli i Sazanit, një copë toke e ndaluar në Shqipërinë e izoluar.

Mendoni tani që përballë këtij ishulli joshës për shumë turistë, pikërisht me art, Elian Stefa dëshiron të japë një mesazh, një britmë të fortë për ta shkundur politikën, të mendojë për ishullin dhe këtë e bën përmes dhjetë artistëve që ka mbledhur në galerinë e bregdetit.

Në Radhimë, në Galerinë e Bregdetit gjejmë në një kënd edhe Driand Zenelin, artistin që dy vite më parë nuk u bë dot pjesë e ekspozitës së parë të çelur për Sazanin sepse arti i tij prezantohej në Bienalen e Venecias.

Këtë herë pushtetit i artit është edhe më i madh. Misionit të Elianit i janë bashkuar jo vetëm artistët nga Britania e Madhe, por edhe British Council e përfaqësues të ambasadës angleze në Tiranë.

Të gjithë kanë udhëtuar për këtë ekspozitë në Galerinë e Bregdetit në Radhimë sepse mendojnë se ëndrra e Elianit për të mos e shkatërruar Sazanin, por ta kthejë atë në një qendër arti, nuk është vetëm ëndrra e  një arkitekti që e do natyrën, por edhe sepse e dinë që Elian Stefa i rritur përballë ishullit dëshiron me gjithë zemër ta mbrojë, të jetojë e të mësojë prej tij.