Albin Kurti publikon Deklaratën e Paqes që u refuzua në Bruksel nga Vuçiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale publikoi Deklaratën e Paqes që i ofroi presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cila u refuzua kategorikisht prej këtij të fundit pas e lexuar madje.

Kreu i qeverisë së Kosovës, gjithashtu shprehet se i dhuroi kryetarit të shtetit serb dhe 3 libra, të cilat po ashtu u refuzuan prej tij.

Albin Kurti shprehet mes rreshtash se ndihet i keqardhur që takimi i radhës në Bruksel përfundoi pa një deklaratë të përbashkët.

Postimi i Albin Kurtit

Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto.

Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.

Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë.

Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.