“Dita e Çlirimit” në Britani, festë e çmendur për heqjen e kufizimeve, rihapet gjithçka

Britanikët numëruan deri në sekondën e fundit, pastaj shpërthyen në festë. Skena të tilla u panë kudo: njerëz që mblidheshin në pube për të festuar atë që po konsiderohet si “dita e çlirimit” nga pandemia.

“Dua vetëm të kërcej, të degjoj muzikë dhe të jem pjesë e atmosferës. Të jem e rrethuar nga njerëzit. Jam shumë e emocionuar për këtë, duket si një ndjesi që e kishim humbur.”, thotë Georgia Pike, një qytetare.

“Kjo është Dita e Lirisë, me të vërtetë është e tillë. Është diçka e mrekullueshme.”, thotë Isabela.

Në këtë mënyrë, Anglia nisi një eksperiment shumë të rrezikshëm. Të gjitha kufizimet për luftimin e Covid-19 janë hequr, përfshirë atë të distancimit social dhe mbajtjes së maskës. Dyqanet, restorantet dhe stadiumet do të operojnë me kapacitet të plotë.

Kryeministri, Boris Johnson, i cili ndodhet në vetë-izolim pasi ra në kontakt me një të infektuar, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe që të vaksinohen.

“Ne shqyrtuam shkurtimisht idenë që të merrnim pjesë në skemën pilot e cila lejon njerëzit të testohen çdo ditë, por mendoj se është shumë më e rëndësishme që të gjithë t’i përmbahen të njëjtave rregulla dhe kjo është arsyeja pse unë do të vetizolohem deri më 26 korrik.”, thotë Boris Johnson.

Ka dhe nga ata që qasjen e qeverisë për heqjen e të gjitha kufizimeve e konsiderojnë të gabuar.
“Mendoj se kjo ndodhi shumë herët. Shumë shkencëtarë po thonë se do të arrijmë në 100 mijë raste në ditë, ndoshta 200 mijë.”, thot Rob Willmott.

Aktualisht ky vend raporton deri në 50 mijë raste ditore me Covid-19.