Protestë për zgjatjen e orarit të muzikës në Vlorë. Përplasje mes operatorëve dhe Policisë, mbyllen disa biznese

Bizneset e Vlorës, kryesisht ato të lokaleve dhe restoranteve përgjatë Lungomares, sikurse kanë paralajmëruar, kanë protestuar sot në lidhje me masat anti-covid. Sot, janë mbyllur një pjesë e bizneseve në Lungomare. Bizneset vijojnë të protestojnë për orarin e lejimit të aktivitetit të tyre dhe kanë kërkuar shtyrjen e orës policore, si dhe lejimin e muzikës përtej orës 22:00.

Operatorët turistikë dhe pronarët e bareve e restoranteve në qytetin bregdetar kërkojnë shtyrjen e orarit të mbylljes dhe atë për lejimin e muzikës, duke qenë se jemi në kulmin e sezonit turistik.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, një pjesë e madhe e lokaleve në Vlorë e kanë mbyllur muzikën me himnin kombëtar. Fill pas kësaj, kanë nisur edhe ndalimet, si dhe konfrontimet me policinë, e cila po ashtu ka gjobitur disa prej lokaleve përgjatë Lungomares.

Momenti kur forcat e rendit shoqërojnë një shtetase

Pronari i një lokali është shoqëruar, po ashtu edhe 2 kamarierë dhe një qytetare, e cila ka kundërshtuar forcat e policisë. Më pas, protesta e pronarëve është zhvendosur përpara komisariatit të policisë, ku përsëri nuk kanë munguar përplasjet dhe konfrontimet fizike mes tyre.