Shqipëria në “Tokyo 2020”, stërvitje në kushtet e shtëpisë dhe rregulla të forta sanitare

SHQIPERIA TOKYO 2020 FLAMURI DHE MASAT E SIGURISE frame 1143 1100x620

Nëntë sportistë pjesëmarrës, objektivi për të sjellë në Shqipëri medaljen e parë olimpike. Delegacioni kuqezi në Tokyo 2020 plotësohet nga grupi i tretë i nisur nga Tirana, pjesë e të cilit ishin dy peshëngritësit Briken Çalja e Erkand Qerimaj dhe notarët Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu.

Në Fshatin Olimpik në Japoni prej disa ditësh tashmë valëvitet flamuri shqiptar, me strukturën që dalë nga dalë ka nisur të mbushet nga sportistët dhe delegacionet pjesëmarrëse, me eventin më të rëndësishëm sportiv që nis më 23 korrik.

Për shkak të pandemisë, kushtet në të cilat do të zhvillohen Lojërat Olimpike janë të pazakonta. Masat sanitare janë të forta edhe për shkak të numrit të infektimeve në të gjithë botën që është sërish në rritje.

Me sallat zyrtare të stërvitjeve që ende nuk janë hapur, kampioni i botës dhe Europës në gjimnastikë, Matvei Petrov, i ka zhvilluar seancat e para përgatitore në kalin me doreza në kushtet e shtëpisë. Rusi që përfaqëson ngjyrat kuqezi është një prej shpresave të mëdha të Shqipërisë për medalje olimpike.

Edhe më të forta rregullat sanitare në ambientet e brendshme, ku mbajtja e maskës në çdo kohë është e detyrueshme.

Përjashtim nuk bën as zona e mensës. Dorezat janë taksative, teksa sportistët dhe pjesëtarët e delegacioneve lejohet të ulen për të konsumuar ushqimet në të njëjtën tavolinë, por të ndarë me barriera xhami prej pandemisë.