Besimtarët “gjuajnë djallin me gurë”, myslimanët në mbarë botën festojnë Kurban Bajramin

Mbarë bota kremton festën e Kurban Bajramit, një nga datat më të rëndësishme të kalendarit Islam. Më pak pelegrinë se zakonisht u gjenden në qytetin Mina të Arabisë Saudite, në ditën e parë të ritualit treditor të gjuajtjes së djallit me gurë. Kjo për shkak të pandemisë koronavirus. Rituali vjetor zakonisht tërheq miliona besimtarë nga e gjithë bota, të cilët qëndrojnë krah për krah.

Të veshur me rroba të bardha dhe me maska fytyre, pelegrinët, burra dhe gra, gjuajnë me gurë për tre ditë në Mina, më pas kthehen në Mekë për t’u lutur në Xhaminë e Madhe në fund të Haxhit.

Kurban Bajrami bëri që sheshet dhe xhamitë në Turqi të tejmbusheshin me besimtarë. Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, zgjodhi Qipron veriore për të kremtuar këtë festë. Pas faljes, mesazhin e përqendroi te politika.

Ai ofroi që të dërgonte ushtrinë për të menaxhuar aeroportin e Kabulit në Afganistan, pas tërheqjes së plotë të trupave të NATO-s.

 “Para së gjithash, Shtetet e Bashkuara do të rreshtohen krah nesh në marrëdhëniet diplomatike. Së dyti, sa i përket logjistikës, ata do të na vendosin në dispozicion çdo gjë të mundshme”, shtoi presidenti turk.

Në Afganistan nuk ishte një festë e qetë. Disa raketa goditën kryeqytetin gjatë faljes së Kurban Bajramit në pallatin presidencial. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar, ndërsa autorët nuk dihen ende. Besimtarë të shumtë në Egjipt, Jordani, Siri, Irak dhe Jerusalem tejmbushën xhamitë dhe hapësirat publike për të falur Kurban Bajramin.

Ndryshe nga viti i kaluar, kufizimet për luftimin e pandemisë janë lehtësuar duke mundësuar më shumë liri për qytetarët.

Festa është një përkujtim për gatishmërinë e Profetit Ibrahim, ose Abrahamit, për të sakrifikuar djalin e tij me urdhër të Zotit, përpara zëvendësimit hyjnor të minutës të fundit me një dash. Myslimanët bëjnë kurban në këtë ditë dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe të afërmit.