Festohet Kurban Bajrami, besimtarët falën namazin kudo në vend

Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin kanë falur namazin e Kurban Bajramit, mëngjesin e kësaj të marte.

Falja filloi në orën 06:20, dhe në sheshin Skënderbej si zakonisht ishin të pranishëm mijëra besimtarë si dhe të gjitha autoritetet më të larta të fesë myslimane.

Edhe në Korçë, pranë xhamisë më të madhe të qytetit “Iljaz Bej Mirahori” është kryer falja në sheshin e kësaj xhamie, edhe për të zbatuar masat anti-covid.

Edhe në Kukës besimtarët janë bërë bashkë për të falur Kurban Bajramin. Besimtarët myslimanë kanë falur Kurban Bajramin në dy xhamitë e qytetit dhe në fshatra. Myftiu Fation Isufi ka drejtuar faljen e Kurban Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit ndërsa përcolli edhe urimet për gjithë besimtarët mysliman.

Më pas, besimtarët janë shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre për kryerjen e ritit të kurbanit, si shenjë e sakrificës kundrejt Zotit.

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhynte, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tri pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.