Kënga partizane armiqëson Hysajn me tifozët fashistë të Lazio-s

Ka nisur në mënyrën më të keqe aventura e re e Elseid Hysaj te Lazio. Sikur të mos mjaftonte periudha e vështirë te Napoli, futbollisti i kombëtares po përballet me një situatë aspak të lehtë ende pa luajtur ndeshjen e parë. E gjitha ka të bëjë me tifozerinë “laciale” e cila e ka shpallur lojtarin shqiptar të padëshiruar.

Sikurse është traditë, jo vetëm në klubet e Serisë A, futbollistët e rinj zgjedhin një këngë për t’u prezantuar në skuadrat e tyre të reja dhe Hysaj zgjodhi ndoshta më të gabuarën në radhët e Lazio-s. Mbrojtësi shkodran këndoi “Bella Ciao”, këngën e famshme partizane për liri, e njohur edhe nga seria i famshëm, “La Casa de Papel”. Por kjo zgjedhje është marrë si një provokim nga ana e ultrasve lacialë që njihen për bindjen e tyre fashiste.

Pas reagimeve të shumë prej tifozëve, u shpalosën edhe banderolat e para në rrugët e Romës, me ultrasit që sulmojnë ashpër Hysajn duke e quajtur një krimb dhe duke i kujtuar se Lazio është fashiste. Disa prej tyre shkuan në hotelin ku po qëndron Lazio për të kërkuar shpjegim nga futbollisti shqiptar, por ka qenë drejtori sportiv Tare ai që shmangu ballafaqimin.

Klubi i Lazio-s reagoi në lidhje me çështjen duke i kërkuar tifozëve të mos ngatërrojnë momentin miqësor dhe jo tendencioz me aspekte politike, si dhe i kërkoi atyre të mos shpërqendrojnë skuadrën ndërsa ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.