Lamborghini kundër BMW… gara me 225 km/h në aksin Fier-Vlorë

Dy makina luksoze, një Lamborghini dhe një BMW, janë konstatuar nga policia duke bërë gara në autostradën Fier-Vlorë, duke arritur shpejtësi tepër të larta, deri në 225 km/h.

Të dyja makinave – me targa zvicerane – të drejtuara nga dy shqiptarë të Kosovës, u është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar, por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës, ku gara e tyre ka përfunduar pasi janë ndaluar nga forcat Shqiponja.

“Të dy drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar  me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie””, tha Policia.