Rama: Kam pasur mosmarrëveshje të mëdha me babanë tim, në fillimet si kryebashkiak bëra politikë me ngjyra

Në një intervistë për revistën italiane “Arte”, Kryeministri Edi Rama ka treguar lidhjet e tij me artin, kombinimin me politikën dhe “konfliktin” që arti i kishte shkaktuar në familje.

“Unë kam lindur në një ambient ku arti ishte shumë i pranishëm. Kam pasur mosmarrëveshje të mëdha me babanë tim, por ai gjithmonë ka respektuar lirinë time. Ai shqetësohej për problemet që mund të më lindin mua për shkak të ideve të mia, por kurrë nuk e ka penguar lirinë time”, tha Rama.

Kryeministri ka ndarë me revistën italiane edhe përshtypjet e tij mbi lëvizjen antikomuniste që po lindte në Shqipëri në kohën kur ai jepte mësim në Akademinë e Arteve. “Para rënies së regjimit komunist isha i përfshirë në një lëvizje që po lindte brenda Akademisë së Arteve, një ndër grupet e para të asaj lëvizjes së madhe që hyri në konflikt me regjimin”, tregon Rama. “Ne kishim një nevojë absolute dhe të patjetërsueshme për liri dhe arti i kontrolluar nga shteti nuk i jepte hapësirë të menduarit të lirë. Që nga ai moment, jeta ime dhe interesat e mia artistike dhe kulturore janë ndërthurur në mënyrë të pandarë me politikën. Pas rënies së regjimit, unë u transferova në Paris për të jetuar në Qytetin e Artit, aty ku kishte atelie artistësh nga e gjithë bota dhe qëndrova atje për një kohë të gjatë. Pastaj ishin ngjarjet dhe situata që përcaktuan një fat ndryshe për mua”.

Rama e quajti lyerjen e fasadave të Tiranës në periudhën kur ishte kryebashkiak i kryeqytetit, si një “politikë me ngjyra”. “Ajo që bëra në fillim nuk ishte art. Ishte politikë me ngjyra. Nuk ishte një akt estetik, por një gjest politik për të zgjuar qytetin dhe një mënyrë për të krijuar një urë të re komunikimi midis njerëzve. Kjo nënkuptonte kthimin e respektit për hapësirën e përbashkët dhe një dialog të barabartë me autoritet drejtuese. Për shumë vite ne kemi jetuar në mungesë të një komunikimi midis njerëzve dhe autoritetit. Rrënojat e regjimit kishin lënë një boshllëk në të cilin të gjithë, për të mirë ose për të keq, ishin të shqetësuar vetëm për mbijetesën e tyre”.

I pyetur për vizatimet shumëngjyrëshe që bën në blloqet ku mban shënime gjatë takimeve, edhe zyrtare, Rama rrëfeu: “Çdo ditë, gjithmonë. Edhe gjatë takimeve zyrtare: dëgjoj, diskutoj dhe vizatoj. Ato janë vizatime të lehtë, bëhen vetë. Filloj në mëngjes dhe vazhdoj gjatë gjithë ditës. Janë vizatime “instinktive”, pothuajse një lloj shkrimi automatik surrealist, të cilat ndërkohë janë shndërruar edhe në skulptura qeramike. “Doodles” abstraktë në tre dimensione që i vizatoj në një kohë kur kolegët e mi politikanë zakonisht luajnë golf ose shkojnë në pishinë. Gjatë disa të shtunave dhe të dielave të qeta u jap formë atyre në atelienë e një shoku”.