Rinia, neglizhente ndaj vaksinës. Ekspertët: Pacientët në infektiv të pavaksinuar, imunizohuni

Mbi 1 milion qytetarë në vend janë vaksinuar me dozën e parë antiCovid. Por ende nuk ka mbërritur në gjysmë milion shifra e personave të imunizuar ndaj koronavirusit. Në 6 muaj fushatë vaksinimi, rreth 466 mijë qytetarë I kanë marrë të dyja dozat anti-Covid.

Ekspertët po përballen me ulje të ritmeve të vaksinimit, veçanërisht nga moshat e reja, edhe në këto ditë të hapura për grupmoshat mbi 18 vjeç. Më herët, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, nga mbledhja e Komitetit të Ekspertëve, përsëriti thirrjen për vaksinim. Të gjitha sinjalet  nga laboratori i ISHP flasin për praninë e mutacioneve të reja të koronavirusit në vend, ku përjashtim nuk bën as Delta.

“Situata epidemiologjike në Europë ka pësuar ndryshime, ka rritje të numrit të infektimeve dhe është në qarkullim varianti “Delta”. Në Shqipëri, akoma nuk kemi një evidencë nga laboratori i referencës pavarësisht sinjaleve të pazakonta qe kemi nga laboratori ynë në ISHP”, tha Fico.

Laboratori I referencës në Berlin ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht praninë e Deltës apo varianteve të tjera në vendin tone. Megjithatë, ditët e fundit janë rritur infektimet dhe të sëmurët aktivë, 160 në të gjithë vendin. Edhe në spitalin infektiv, ka shkuar në 6 numri i të shtruarve. Sipas mjekëve, asnjë prej pacientëve të shtruar në pavijon nuk ka kryer më parë vaksinën antiCovid.

Në fillimet e fushatës dhe veçanërisht para zgjedhjeve parlamentare, kryheshin çdo ditë rreth 20 mijë vaksinime. Ndërsa 24 orët e fundit janë kryer 8 mijë injektime antiCovid. Me ardhjen e sasive të tjera të vaksinës kineze, Minstria e Shëndetësisë ka shpallur javën e hapur, 19 korrik deri më 25 korrik, për vaksinimin e grupmoshave mbi 18 vjeç. Edhe për fushatë, të rinjtë janë më pak të interesuar për marrjen e vaksinës antiCovid.