“Delta” mes nesh, rritja e infektimeve është tregues për praninë e variantit indian në Shqipëri

Varianti “Delta” i koronavirusit ka hyrë edhe në Shqipëri. Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga laboratori i referencës në Gjermani, specialistët pranojnë se të gjithë treguesit në këtë periudhë flasin për qarkullimin e mutacionit indian.

Rritja e menjëhershme e infektimeve, thotë epidemiologia Rovena Daja, është një sinjal për praninë e këtij varianti në vendin tonë. “Përderisa në Kosovë, Greqi, Mal të Zi ka raste, edhe në Shqipëri besojmë që mund të ketë hyrë. Por realisht nuk kemi një dokument zyrtar, nuk ka ardhur ende përgjigja e analizave nëse kemi raste me Delta”, thotë Daja për A2. “Por fakti që kanë filluar të rriten rastet, dhe fakti që në virusi është në formë të lehtë dhe në spital ka pak të shtruar, tregon që mund të ketë ardhur”.

Personat e konfirmuar pozitiv me koronavirus 24 orët e fundit janë të moshave mbi 20 vjeç. Të gjithë janë të pavaksinuar dhe as nuk e kanë kaluar më parë sëmundjen. Epidemiologët thonë se do të kemi një valë tjetër të koronavirusit po asnjëherë me agresivitetin e atyre që kaluam në dimër.

“Presim një valë, por jo me intensitetin që patëm në muajt janar-shkurt, kur kishim deri në mbi 1000 raste në ditë. Për faktin e thjeshtë se në atë periudhë u infektuan shumë persona të cilët normalisht kanë krijuar imunitet”, thotë Daja. “Sipas studimeve të fundit, imuniteti zgjat deri në disa vjet”.

Pavarësisht rritjes së infektimeve, tregues pozitiv prej javësh është numri zero i vdekjeve nga koronavirusi. Ndërsa shtrimet në spital kanë pësuar një rritje të lehtë. Sipas mjekëve, edhe pacientët në pavijonin infektiv rezultojnë të pavaksinuar më parë ndaj Covid-19.