Gjyqtares Enkelejda Hoxha i refuzohet për herë të tretë lirimi nga qelia

Dy raporte psikologjike dhe një raport shëndetësor për tre nga 4 anëtarët e familjes së ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, nuk bindën Gjykatën e Apelit të Posaçëm ta lironte atë nga qelia.

Ish-gjyqtarja qëndron në paraburgim prej 5 muajsh, pasi dyshohet të jetë përfshirë në një skemë korrupsioni për lirimin e të dënuarve nga burgu. Në seancën e fundit në Apel, Hoxha e argumentoi kërkesën për liri me gjendjen e vështirë të familjarëve të saj dhe nevojës për të qenë pranë fëmijëve, njëri prej të cilëve me nevoja të veçanta. Aktualisht për ta kujdesen prindërit e saj të moshuar.

Përmes avokatit Ardian Visha, ish-gjyqtarja paraqiti një raport psikologjik të vajzës së saj të mitur, lidhur me situatën e vështirë psikologjike të saj. Përmes një tjetër raport psikologjik për djalin me nevoja të veçanta, mbrojtja provoi rëndimin e gjendjes mendore të tij. Njëkohësisht gjykatës i është vënë në dispozicion edhe një raport mjekësor lidhur me probleme shëndetësore të babait të gjyqtares.

Vendimi i së mërkurës në Apelin e Posaçëm është i treti radhazi i kësaj gjykate për refuzimin e kërkesës së ish-gjyqtares për zbutje të masës së sigurisë. Me herët, Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme katër herë të tjera nuk ka pranuar ndryshimin e masës “arrest në burg”.

Hoxha u arrestua në shkurt të këtij viti bashkë me 9 persona të tjerë. SPAK dyshon se ajo përfitonte ryshfet nga 6-12 mijë euro për uljen e dënimit të të dënuarve të Fushë-Krujës, skenë nga e cila janë liruar para kohe Endrit Dokle, Hekuran Billa e Ilir Paja.