Izmir Smajlaj gati për “Tokyo 2020”, premton surpriza “olimpike”

Përditësuar më: 25/7/2021, ora 09:23

Izmir Smajlaj gati për “Tokyo 2020”, premton surpriza “olimpike”

Përditësuar më: 25/7/2021, ora 09:23

Forcë fizike dhe përgatitje e mirë psikologjike në prag të garës së tij më të rëndësishme të karrierës. Izmir Smajlaj i ka dhënë dorën e fundit stërvitjes përpara nisjes drejt Tokyos, atje ku atleti kuqezi i kërcimit për së gjati kërkon të vendosë rekord dhe pse jo të futet në zonën e medaljeve. I bindur edhe pas formës që gëzon, Smajlaj premton tejkalim të objektivave në Lojërat Olimpike.

“Mund të them që jam në formën më të mirë të karrierës deri më sot. Nëse realizoj atë që po bëj në stërvitje këto ditët e fundit, finalja do të jetë e padiskutueshme. Edhe do ta çoj atletikën shqiptare në një tjetër nivel”, tha Smajlaj në një intervistë për A2. “Besoj që do të kthehemi me një medalje, qoftë nga peshëngritja, qoftë nga atletika, qoftë nga gjimnastika”.

Sportisti shkodran së bashku me trajnerin e tij Gjergj Ruli janë të fundit që do t’i bashkohen ekipi kuqezi në Tokio. Ish-atleti rekordmen tregon se Smajlaj i ka të gjitha mundësitë për të vendosur rekord në Olimpiadë.

“Kam ngritur stekën goxha, për një atlet si Izmir Smajlaj. Nuk është çudi që ai mund të bëjë habi në Tokio. Them që ai është më lart nga atletët konkurrentë që ka. Po të hyjmë në 10 më të mirët e botës është gjë e madhe, po të marrim medalje është nder për Shqipërinë. Megjithatë është nder edhe që jemi në Tokio”, tha Ruli për A2.

Aventura e Izmir Smajlaj në Lojërat Olimpike të Tokios nis më 31 korrik, me garën kualifikuese të atletit që do të nisë prej orës 19:00, me orën lokale japoneze.