Lojërat Olimpike, pandemia tkurr ceremoninë hapëse në “Tokyo 2020”

TOKYO 2020 NDRYSHON CEREMONIA HAPESE frame 662 1100x620

Harrojeni koreografinë gjigante, shfaqen me qindra valltarë e aktorë, apo spektaklin e dritave që kanë shoqëruar gjithmonë ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.

Eventi i kësaj të premteje në Tokio nuk do të ketë asgjë nga madhështia dhe shkëlqimi i edicioneve të kaluara. Për shkak të pandemisë, organizatorët kanë vendosur që shfaqja të bëhet modeste, duke evituar grumbullimet masive të njerëzve.

Ceremonia do të jetë më e vogël, ku pjesa më e rëndësishme është që njerëzit të tregohen të matur dhe të evitojnë rrezikun e infektimit masiv, të sportistëve, stafeve apo edhe të pranishmëve në Olimpiadë. Konfirmimi u dha nga Marco Balich, prodhuesi ekzekutiv i ceremonive të hapjes, tani në rolin e këshilltarit të lartë për eventin në Japoni.

Njeriu që ideoi dhe zbatoi spektaklin në Rio 2016, zbuloi se krahasuar me të kaluarën, kjo ceremoni do të jetë më modeste, por aty nuk do të mungojnë elementet estetike japoneze, të cilët do të jenë në sinkron me realitetin e ditëve të sotme, ku i gjithë globi po vuan nga Covid-19.

Rastet në rritje të infektimeve në Tokio kanë bërë që ngjarja më e rëndësishme sportive të jetë ende e rrezikuar nga anulimi. Për shkak të pandemisë, Olimpiada u shty me një vit dhe do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve. Vetëm pak orë përpara startit zyrtar të Lojërave, janë regjistruar mbi 60 raste me sportistë dhe zyrtarë të delegacioneve të infektuar. Kjo ka bërë që në ceremoninë hapëse të mos jenë të pranishëm të gjithë sportistët.