Mosnjohja nga 5 vendet e BE, deputetët në Kosovë kërkojnë plan kombëtar për diplomacinë

Deputetët në Kosovë kërkojnë një plan strategjik kombëtar për përfaqësim diplomatik jashtë vendit. Në mbledhjen e komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë, u diskutua edhe për rrezikun që sjell mosnjohja e pavarësisë nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian. Kryetari Haki Abazi tha se procesi i hapur i dialogut ka krijuar justifikim për këto vende që ta shtyjnë njohjen e Kosovës.

“Mosnjohja e Kosovës është një rrezikim i sigurisë së ombrellës së BE-së. Do të thotë është njëfarë paradoksi që vet anëtarët e BE-së e rrezikojnë ombrellën e sigurisë të BE-së, duke e lënë Kosovën në një situatë të paqartë”, tha Haki Abazi, Lëvizja Vetëvendosje.

Mosnjohja është pengesë edhe për aspiratat e Kosovës. “Një pengesë e madhe është sepse ne dëshirojmë me qenë pjesë e OKB-së, pjesë e NATO-s dhe është pikërisht mosnjohja e 5 vendeve që po na pengon nëpër këto procese”, tha Time Kadrijaj, AAK.

Kritika pati dhe për punën e ministrisë së jashtme. “Kjo është një qasje e gabuar e ministres Gërvalla që duhet shmangur prej këtyre tavolinave, sepse ne përfaqësojmë interesin e Kosovës”, u shpreh Kadrijaj.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që të lobohet përmes grupeve të miqësisë dhe takimeve bilaterale.

“E vetmja mënyrë që ne mundemi me pas kontakte dhe takime me ta është përmes komisioneve homologe ose përmes grupeve të miqësisë”, tha Ariana Musliu, PDK

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha tha se duhet të targetohen grupe dhe deputet parlamentar në vendet që janë skeptike për liberalizimin e vizave dhe të ftohen për një seminar 3-ditor, në mënyrë që këta të fundit të shohin realitetin në vend dhe të shërbejnë si ambasadorë.