Ndërtimi i ka dhënë frymë ekonomisë, Hebovija: Ka kërkesa për banesa dhe nga Rusia

Ilir Hebovinja, përfaqësues i shoqatës së ndërtuesve ishte i ftuar në A2 Business ku foli rreth temës se a ka nisur ekonomia e vendit tonë të rimëkëmbet pas muajve të vështirë të pandemisë që bllokuan gjithë globin.

Sipas Hebovijës, turizmi dhe ndërtimi janë dy nga sektorët që mbajtën gjatë frymën e ekonomisë shqiptare. Ai analizoi situatën e ndërtimeve në vend duke thënë se ato janë shtuar për shkak dhe të kërkesës së madhe.

“Ndërtimi është biznesi më i dukshëm. Ndërtohet aty, nuk merret me vete, nuk fshihet dot, çdo blerje është e evidentuar. Ndërtimi është shumë i monitoruar nga të gjithë aktorët, shtetëror ndërkombëtar. Të gjitha linjat janë aty, nuk ndryshohet asgjë. Burimi i parave është i kontrollueshëm. Nuk ka asnjë ndërtues që ndërton se nesër do shitet, por ka rritje të kërkesave. Sot kemi tendenca për të ardhur dhe për të blerë dhe nga vende të ndryshme. Ka një ndjesi që po vijnë dhe nga Rusia për të blerë banesa në turizëm. Biznesi ka një nuhatje efektive për t’iu përgjigjur kërkesave. 70% e popullsisë së Shqipërisë është dyndur në kryeqytet dhe po punojnë”, u shpreh Hebovija.