Paketa e re e prokurimeve, ekspertët: Duhen përfshirë kontratat sekrete, të hetohen tenderat e 2020

Paketa e re e prokurimeve publike, e prezantuar më herët nga kryeministri Rama, për studiues të ekonomisë duhet të përfshijë edhe tenderat sekretë.

Teksa e vlerësojnë me skepticizëm nismën qeveritare, ekspertët argumentojnë se për të pasur rezultat konkret, të gjitha ndryshimet duhet të vijnë si reflektime pas hetimeve mbi kontratat e zhvilluara gjatë vitit pandemik.

 “Hetimi i kontratave sekrete të vitit 2020 mendoj se është një proces që nuk ka nisur dhe nuk ka sjellë një analizë publike, sepse këto kanë dy synime, të hedhin dritë mbi parregullsitë dhe të ndëshkohen përgjegjësit, si dhe të amendohet kuadri ligjor që këto parregullsi mos të shfaqen në të ardhmen, thotë per A2 eksperti i Ekonomisë Zef Preçi.

Zef Preçi, ekspert i Ekonomisë

E teksa piku i krizës shëndetësore duket se ka kaluar, qeveria dhe institucionet vijojnë të shpallin dhe zhvillojnë kontrata sekrete.

Në dy vitet e gjysmë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit realizoi 481 transaksione sekrete, një pjesë e konsiderueshme në 6 muajt e parë të këtij viti, vlera totale e të cilave arriti në 19.3 milionë euro.

Nga ana tjetër dhe Ministria e Shëndetësisë, ajo e Brendshme apo dhe Ministria e Drejtësisë vijojnë të shpallin kontrata të cilësuara si sekrete.

Kontratat sekrete, të cilave nuk iu dihet vlera e detajuar e objekteve të blera, cilësia, kriteret si dhe kushtet dhe afatet e pagesës, vlerësohen si procedura me risk të lartë korrupsioni dhe klientelizmi.