“Probleme me shëndetin”, ish-kryebashkiaku Fatos Tushe kërkon lirimin nga burgu

Fatos Tushe 1100x620

Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i kërkon Gjykatës së Apelit lirim nga burgu, pas arrestimit nga SPAK për korrupsion pak javë më parë.

Ndërsa vetë gjykata ka caktuar datën 28 korrik për shqyrtimin e kërkesës, ku Tushe veçon problemet me shëndetin si argument për t’u liruar nga arresti me burg.

Problemet shëndetësore të tij, ish-kryebashkiaku i ka provuar nga të dhënat e pasqyruara me analizat e publikuara. Po ashtu, Tushe pranon edhe një masë garancie pasurore për të mos qëndruar në qeli.

Fatos Tushe u arrestua bashkë me zyrtarë të tjerë të bashkisë së Lushnjës me 6 korrik, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në dy fshatra.

Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit. Ai u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në burg”.