Rekord emigrantësh kalojnë La Manshin, Britania do t’i paguajë miliona euro Francës për t’i ndalur

Britania e Madhe ka vendosur t’i paguajë Francës 62,7 milionë euro për të financuar operacionin për frenimin e emigrantëve që kalojnë çdo ditë Kanalin e La Manshit.

Marrëveshja mes dy shteteve do të bëjë që autoritetet franceze të dyfishojnë numrin e efektivëve të vendosur përgjatë bregut. Gjithashtu, Franca do të rrisë numrin e patrullave detare, dhe do të shtojë pajisjet monitoruese.

Marrëveshja u firmos nga ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel, dhe homologu francez Gerald Darmanin vetëm një ditë pasi në ishull mbërritën 430 emigrantë, shifër rekord. Ndërsa të martën, mbërritën edhe 287 të tjerë.

Sipas autoriteteve franceze, 7999 vetë kanë kaluar me sukses Kanalin e La Manshit gjatë 6 muajve të parë të vitit 2021, një rritje e ndjeshme nga një vit më parë, kur për 12 muaj numri i emigrantëve që mbërritën në brigjet britanike ishte 9551.

Por nisma është zhvlerësuar nga deputeti francez i Kalesë (Calais), Pierre-Henri Dumont, i cili tha se paratë nuk do ta zgjidhin problemin. Në një intervistë për BBC, deputeti republikan tha se vija e gjatë bregdetare dhe pikat e pafundme nga ku emigrantët mund të nisen, e bën të pamundur këtë operacion, pasi trafikantët do të gjejnë gjithmonë një rrugë për të kaluar.