5 vjet nga reforma në drejtësi, procesi nuk shpëtoi pa premtime, u përdor masivisht në fushatë

Reforma në Drejtësi zuri jo pak vend në fushatën elektorale të 2021-t. Kryeministri Edi Rama e përdori vijueshmërinë e Reformës si premtim elektoral, duke vënë si garant Partisë Socialiste. 

“Partia Socialiste ka kontribuar që në momentin e parë, e që pa Partinë Socialiste as do të mund të imagjinohej”, shprehej Rama.

Kreu i socialistëve shkoi edhe më tej, duke e përdorur reformën si një nga armët kryesore në luftën politike ndaj presidentit Meta. 

“Ilir Meta ishte kundër reformës e për këtë mund t’ju tregoj një rast në Lalëz, kur më tha e sheh detin”.

Por, reforma u përdor si kundërpërgjigje edhe nga presidenti Meta, i cili e cilësoi si dështim të qeverisë.

“Nëse do kishim pasur një reformë drejtësi të suksesshme kurrë nuk do kishte guxuar qeveria e kuvendi të bënte këto që ka bërë ndaj ju ftoj t’i lexoni, apo afera të tjera”, do të thoshte Meta.

Edhe opozita e përdori Reformën në fushatë. 3 ditë para zgjedhjeve, Lulzim Basha u premtoi shqiptarëve drejtësinë e munguar. 

“Shqiptarët do të kenë një reformë në drejtësi të standardeve perëndimore, ne jemi garancia e vetme që reforma të mos pengohet më, një rol ka politika të mos fut duar në Reformën në Drejtësi, unë do ta garantoj këtë”, tha Basha.

Pas zgjedhjeve SPAK u hodh në sulm jo vetëm ndaj krimit të organizuar, por edhe në zyrat e shtetit. Kryeministri Rama përsëriti zotimin e Kongresit se PS nuk mbron askënd që do ketë probleme me drejtësinë.

 
“Të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë gjithë mbështetjen time dhe të Partisë Socialiste kundër kujto nga ju apo kujtdo qoftë që do luajë me zjarrin”, deklaroi Rama para disa ditësh.

SPAK u përshëndet dhe nga PD, por me rezerva përderisa nuk shkon aty ku Lulzim Basha mendon se është problemi.

“Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë”, tha Basha.

Kushtetuta për drejtësinë u miratua me konsensusin maksimal të votave në parlament, por përplasjet mazhorancë-opozitë nisën menjëherë për ligjet organike të institucioneve të reja të drejtësisë. I vetmi ligj që mori konsensus ishte ai për SPAK.