Alket Hyseni: Tërheqja nga gara, lëvizje strategjike, kam shumë për të dhënë

Garën e 25 prillit nuk e çoi deri në fund, por kjo nuk do të thotë se e ndali dhe rrugëtimin politik. Në një intervistë për A2 CNN, Alket Hyseni shpreh gatishmërinë për të vijuar kontributin në Partinë Socialiste.

Në mungesë të Parlamentit, ambicia e tij është kabineti “Rama 3”. “Jam shumë i ri për ta mbyllur angazhimin tim në politikë dhe nga ana tjetër nuk e shoh veten time pashmangshmërisht me të qenit aktiv në politikë. Nëse do të më kërkohet çdo angazhim do t’i përgjigjem për të vijuar kontributin tim në shoqërinë shqiptare, po pse jo dhe në qeverisjen e vendit në vijim, patjetër në strukturat e Partisë Socialiste”.

Alket Hyseni mohon pakënaqësinë për renditjen në listën e kandidatëve të Vlorës nga kryeministri Rama, ndërsa largimin e tij në momentin e fundit e konsideron një lëvizje strategjike në funksion të fitores. “Kryeministri i vendit renditi veten në limitin e pritshëm të mandateve dhe unë e gjykova se të qenit në listë nuk do të sillte produktin e duhur, aq sa do ta sillte, duke mos qenë në këtë listë fare e duke punuar fort për mandatin personal të kryeministrit, për mandatin e tretë të qeverisjes së PS-së dhe kryeministrit Edi Rama. Por, mendoj se ka shumë e shumë mënyra për të vijuar kontributin tim për Sarandën, por edhe për të gjithë qarkun e Vlorës”.

Misioni i fundit që ndërmori si parlamentar ishte hetimi për të shkarkuar presidentin Meta, e këtë vendim, Hyseni shpreson ta shohë të finalizuar dhe në Gjykata Kushtetuese. “Nuk kemi pasur asnjë kënaqësi që të gjendeshim në këtë pozitë dhe këtë e them jo politikisht, por e them në pikëpamjen e funksionimin e një shteti, që për askënd nuk është kënaqësi të procedojë presidentin e Republikës. Raporti i është përcjellë Gjykatës Kushtetuese dhe kam besimin e shpresoj që ajo, në lartësinë e strukturave të saja funksionale, do të dalë në një vendim që të gjithë shqiptarët e presin me padurim”.

Teksa në shtator pritet të marrin detyrën 140 ligjvënësit e rinj, Alket Hyseni shpreson në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me opozitën. Mazhoranca do t’i ketë të nevojshme votat e opozitës për ndryshime Kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi, ndërkohë që opozita do të paraqesë në parlament platformë jo vetëm për reformë kushtetuese, por edhe zgjedhore e territoriale.