Harvey Weinstein kërkon pafajësi, “nuk mund të gjykohem për ngjarje të shumë viteve më parë”

Ish-producenti hollivudian Harvey Weinstein ka kërkuar pafajësi në gjykatën e Lartë të Los Anxhelos, pas akuzave të 5 grave, mes viteve 2004-2013.

69-vjeçari u shfaq nën sallën e gjyqit, me një karrige me rrota, veshur me uniformën e një të dënuari në burg në ngjyrë kafe dhe ndiqte seancën nga qelia e qelqtë brenda në sallë. Një vit më parë, ish-regjisori dhe producenti i Hollivudit u dënua me 23 vite burg nga gjykata e Nju-Jorkut për të njëjtat akuza, përdhunim e ngacmim seksual.

Në Los Anxhelos ai përballet me 11 akuza të ngjashme, për të cilat nëse dënohet, do të duhet të kalojë të gjithë jetën në burg. Avokati i tij mbrojtës kërkoi rrëzimin e akuzave.  

“Z. Weinstein është gjykuar tashmë. Sot, ne sfidojmë 3 nga akuzat. Ato janë të pabaza. Janë bërë shumë kohë më parë. Ne presim një gjykim të drejtë për këtë çështje dhe presim që z. Weinstein të lirohet nga akuzat”, deklaroi avokati Mark Werksman.  

Sipas tij, nuk mundet që 69-vjeçari të akuzohet për ngjarje të pafaktuara të dhjetëra viteve më parë. “Problemi është që akuzat e ngritura ndaj Weinstein janë të shumë kohëve më parë dhe ky është një problem me të cilin do të duhet të përballet prokuroria. Vetë akuzueset do të duhet të provojnë akuzat e tyre apo të kenë dëshmitarë me fakte. Kjo është padrejtësia me të cilën përballemi në këtë proces. Janë akuza të shumë viteve më parë”.

Seanca për dhënien e vendimit është ajo e 29 korrikut. Më shumë se 80 gra e vajza në total kanë akuzuar manjatin e Hollivudit, për sjellje ngacmime apo dhunë seksuale, në ambientet e punës apo takime private me të.