Laçi mposht rumunët, Vllaznia ka ende shpresa, Teuta, zhgënjim total

Laçi është e vetmja skuadër shqiptare, e cila ka arritur të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjet e para të kësaj faze të Conference League.

Zarubica ishte autor i golit të vetëm të laçianëve ndaj skuadrës rumune të Universitatea Craiova, në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, duke pasur shpresa të mëdha tashmë për kualifikim edhe pse përballë është një skuadër nga një kampionat me një nivel më të lartë se Superiorja.

Ndërkohë, Vllaznia u mposht minimalisht në Qipro nga skuadra e AEL Limassol, me një gol të shënuar në fundin e pjesës së parë nga Scepovic. Për shkodranët gjithçka tashmë do të vendoset në “Loro Boriçi” javën e ardhshme.

Teuta, kampionia e Shqipërisë, pasi u eliminua nga Champions League, ka zhgënjyer edhe në ndeshjen e parë në Conference League, duke u mposhtur 0-2 në Durrës nga skuadra e Andorrës, Inter Escaldes.

Lojtarët e Teutës krijuan shumë në këtë ndeshje, por shpërdoruan para portës kundërshtare, ndërsa e kundërta ndodhi me lojtarët e Inter Escaldes, të cilët u treguan cinik dhe në ato pak raste që krijuan arritën të realizojnë dy gola.