Pesë vite nga Reforma në Drejtësi, Dervishi: Është rritur steka e goditjes, ende punë për konsolidimin e institucioneve

Pesë vjet nga nisja e reformës në drejtësi gazetari Lutfi Dervishi preferon që ta shohë gotën gjysmë plot. Ai pranon problemet dhe vështirësitë për ngritjen dhe bërjen funksionale të institucioneve të reja, por i njeh edhe arritjet.

 “Ajo çfarë mund të quhet si arritje është pastrim. Gjithë synimi i reformës në drejtësi ka qenë që të pastrohet sistemi. Sistemi i pastruarit të merret me personat që kanë thyer ligjin. E treta dhe më kryesorja është që ky pushtet të kthehej ndaj pushtetit politik”, thotë Dervishi.

Sipas Dervishit, aksionet e fundit të SPAK janë një shenjë se ka nisur lufta ndaj zyrtarëve të korruptuar, por janë ende shumë larg pritshmërive.

Steka e goditjes ka filluar duke u ngritur, por nuk është akoma aty ku duhet. Dita që qytetari shqiptar ta ndjejë që ka marrë drejtësi, edhe atëherë kur ka humbur gjyqin, nuk është larg”, shton analisti.

Për shkak se nuk kaluan dot sitën e vetingut shumë gjyqtarë dhe prokurorë dolën nga sistemi duke krijuar në këtë mënyrë një boshllëk të madh, por sipas Dervishit kjo ishte e vetmja rrugë për të ecur përpara.

Dervishi thekson se reforma nuk duket as e lehtë as e shpejtë dhe nisur nga historia e këtyre 5 viteve, sipas gazetarit Dervishi do të duhen edhe 5 apo 10 vite të tjera për të parë një konsolidim të plotë të saj.