Tokyo 2020, olimpiada ekologjike, medalje të riciklueshme dhe krevate kartoni

Nga medaljet e riciklueshme, të realizuara nga materialet e aparaturave të vjetra elektronike, te krevatet prej kartoni në Fshatin Olimpik. Tokyo 2020 është padyshim Olimpiada ekologjike, objektivi kryesor i së cilës është promovimi i betejës kundër ndryshimeve klimaterike.

Edhe podiumet janë të ndërtuara me mbetje plastike të mbledhura në oqean dhe pas eventit ato do të shërbejnë si mjete didaktike. Gjithashtu, uniformat që do të përdorin një pjesë e madhe e sportistëve nuk kanë impakt në ambient. Ky është përfundimi që ka dalë nga studimi i “La Presse” rreth çështjeve ambientale të Lojërave në Japoni.

Slogani “Të jemi më mirë së bashku, për planetin dhe për njerëzit” përmbledh me një fjali strategjinë e Tokyo 2020, që synon të kontribuojë në realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Referuar objektivave të Marrëveshjes së Parisit, organizatorët synojnë të eliminojnë emetimet e dioksidit të karbonit të Lojërave, duke përdorur energji të rinovueshme në strukturat ku do të mbahen garat dhe në fshatrat që do të presin atletët.

Edhe Fshati Olimpik është ndërtuar nga një lloj druri i krijuar nga burime të qendrueshme, që pas eventit do ti kthehet autoriteteve lokale, për tu përdorur në parqe publike apo si pjesë e ndërtesave.

Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i rrugëve me materjale të riciklueshme, që janë në gjendje të thithin ujin, për ta përdorur sërish. Edhe impiantet sportive në Tokyo, përveç fjalës më të fundit të teknologjisë, janë edhe ekologjikë. Pjesa më e madhe e strukturave në rrezen e 10 kilometrave të fshatit olimpik kanë zero impakt në natyrë.