Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Vendimi për HEC-in në Valbonë, ekspertët e ekonomisë kundër: Kosto për investitorin dhe buxhetin

Nga A2 CNN
22 Korrik 2021, 20:22 | Aktualitet
Vendimi për HEC-in në Valbonë, ekspertët e ekonomisë

Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë “non sens” vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e punës në hidrocentralin në Valbonë.

Sipas tyre, në kushtet kur vepra ka përfunduar, pezullimi i ciklit të prodhimit, krijon kosto të mëdha financiare për investitorin.

“Nëse investimet vendase apo të huaja, nëse investitorë të caktuar, pasi kanë kryer investime të caktuara ose kanë respektuar të gjitha kornizat ligjore, padyshim që kostot financiare janë shumë të mëdha për ta dhe normalisht që imazhi i Shqipërisë që duhet të ishte një destinacion atraktiv, sidomos në sektorë si turizmi, energjetika, infrastruktura, normalisht nuk është mesazh i mirë”, u shpreh Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë.

“Kjo lloj përplasje që krijohet nuk është as e shëndetshme për raportet e shoqërisë me biznesin dhe investitorët, as për turizmin dhe as për buxhetin e shtetit”, deklaroi Zana Guxholli.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Bardhi Sejdarasi tha: “Qeveria, e cila i ndjek dhe monitoron të gjitha kontratat koncensionare duhet të jetë më e drejtpërdrejt përsa i përket mbrojtjes së investitorëve. Nuk e kam fjalën për një investitor të vetëm, por për të gjitha investimet në Shqipëri që penalizohen nga vendime të tilla”.

Ekspertët e ekonomisë analizojnë se vendime të tilla e çojnë Shqipërinë në arbitrazh.

“Do të krijojë kosto monetare për buxhetin e shtetit. Sepse nuk ka biznes që do të falë dhe nuk do të hedhë në gjyq dhe arbitrazhet ndërkombëtare deri tani na kanë mbytur në gjoba. Kështu që duhet parë me shumë kujdes dhe vëmendje dhe duhet ekuilibruar ky interes me mbrojtjen e ambientit dhe koston”, shtoi Guxholli.

Një tjetër shqetësim që ngrihet nga ekspertët e ekonomisë përballë një vendimi të tillë, është mesazhi që iu jepet investitorëve dhe veçanërisht atyre të huaj. Kjo pasi tek kompanitë që duan të investojnë në Shqipëri krijohen pasiguri lidhur me mosrespektimin e kontratave.

A2 CNN Livestream

Dita jonë