Kosova, surpriza e bukur e Lojërave Olimpike, Japonia kryeson renditjen e medaljeve

kosova 1100x620

Tre ditë nga ceremonia hapëse e Lojëra Olimpike Tokio 2020, Japonia, organizatore e këtij eventi madhështor, kryeson listën si shteti me më shumë medalje ari, me 8 të tilla dhe 13 në total.

Në vendin e dytë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7 medalje ari dhe 14 në total. Ndërkohë, Kina renditet e treta edhe pse është shteti me më shumë medalje deri tani. Sportistët kinezë kanë arritur të marrin 18 medalje, por vetëm 6 janë ari.

Surpriza më e madhe dhe më e bukur deri tani e Lojërave Olimpike është pa më të voglin dyshim Kosova, e cila në 3 ditët e parë që nga ceremonia ka arritur të sigurojë 2 medalje ari, duke u renditur në vendin e tetë. Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë dy të artat e Kosovës deri tani.

Ndërkohë, Shqipëria ka ende shpresa të rrëmbejë medalje me sportistët që përfaqësojnë flamurin kuqezi në këto lojëra, pasi Briken Calja apo Izmir Smajlaj ende nuk kanë garuar.