Pas triumfit historik, Nora Gjakova: Nuk doja që kundërshtarja të tërhiqej, ia kushtoj fitoren të gjithëve atyre që më kanë ndihmuar

Nora Gjakova është xhudoka e dytë nga Kosova që fiton një medalje të artë në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Tokio. Vajza nga Peja triumfoi në finalen e xhudos, duke mposhtur rivalen franceze Sarah Siske me ippon.

Një rezultat i jashtëzakonshëm për Kosovën, që konfirmohet si një prej superfuqive botërore në sportin e xhudos. Në gjysmëfinale, Nora Gjakova mundi japonezen Joshida, e cila ishte dhe pretendentja kryesore në peshën deri në 57 kg. “Gjatë gjithë luftës u tregova e duruar dhe e vazhdova sa më shumë, sepse ishte e përgatitur. Jam shumë e gëzuar që e fitova atë ndeshje”, tha Gjakova pas fitores historike.

“Kurse për finalen, nuk kisha dëshirë që të përfundonte në atë mënyrë, me skualifikim për xhudisten e Francës, por prapëseprapë fitorja është e rëndësishme. Shumë e vështirë, jo vetëm për mua. Të gjithë kanë punuar për medaljen olimpike, trajneri, familja, klubi. Jam falënderuese ndaj secilit që ka harxhuar kohë për mua dhe ia kushtoj të gjithëve që më kanë ndihmuar”.

Me këtë triumf, Kosova regjistron medaljen e dytë të artë në Tokio 2020, pas suksesit të Distria Krasniqi, po në sportin e xhudos. Kjo është medalja e tretë e artë në histori për shtetin më të ri europian, sepse xhudoka Majlinda Kelmendi ishte shpallur kampione olimpike në Rio 2016.