Arkitekti i medaljeve olimpike të Kosovës, Kuka: Kemi bërë krenarë të gjithë shqiptarët

Dy medalje të artë në “Tokyo 2020”. Tre medalje të arta olimpike për Kosovën në harkun e 5 vjetëve të fundit. Xhudo është sporti më i suksesshëm për sportistët shqiptarë dhe kjo për meritë të trajnerit Driton Kuka, arkitektit të kampionëve.

“Pas medaljes së parë të artë olimpike në Rio, normalisht shkuam në Shqipëri për pushime dhe 30 ditë nuk arrita të qetësohesha. Por mendoj që adrenalina është shumë lartë. Këto emocione janë të papërshkrueshme”, thotë Kuka në një intervistë për A2 CNN.

Trajneri që ka drejtuar drejt medaljeve Majlinda Kelmendin e tashmë Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, zbulon sekretet e suksesit. “Nora gjithmonë ka qenë afër Majlindës, me kualitet, me cilësi, me të gjithë komponentët, përveç ndoshta anës psikologjike. Dhe kjo ka qenë sfida e Norës në këto 2-3 vite. Ka një rritje eksponenciale në aspektin psikologjik, sepse të gjithë elementët e tjerë I ka shumë të mirë. Dhe ja tani, në moshën 28-vjeçare u kurorëzua me titullin më të madh që e ëndërron çdo sportist”, thotë Kuka.

Optimizmi për medalje nuk ka munguar asnjëherë, me Kosovën që ka disa prej xhudokave më të mira në botë. “Kur u nisa për Lojërat Olimpike kam thënë që prej xhudos pritet medalje. Kemi pesë sportistë që janë të gjithë në dhjetë më të mirët në ranglistën botërore dhe besoja që nuk do të kthehemi pa medalje”.