Dasho: Imuniteti natyral po mbron shqiptarët nga varianti Delta

Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, në Ditarin e mëngjesit në A2 pati kritika ndaj autoriteteve shqiptare sa i takon vonesës për të vërtetuar qarkullimin e variantit Delta në vendin tonë. “Nuk ka ndonjë domethënie të veçantë, aq më tepër kur bëhet fjalë për mostra të marra më shumë se një muaj më parë. Është e çuditshme se si një shtet, si shteti Shqiptar, i duhen dy muaj të provojë diçka që normalisht i duhen pak orë për ta bërë këtë gjë”.

Eksperti i shëndetit publik u shpreh se situata vijon të jetë e qëndrueshme në Shqipëri, pavarësisht konfirmimit të Deltës, pasi po mbrohen nga imuniteti natyral.

“Kjo tregon se varianti Delta do të kishte ardhur në një tokë të virgjër, Shqipëria do të ishte në kulmin e një vale, ashtu si Britania apo vende të tjera. Fakti që Delta ka dy muaj apo më shumë dhe nuk ka krijuar një valë tregon se imuniteti natyral që kanë krijuar shqiptarët po funksionon.

Shqipëria ka mbi 70 përqind imunitet natyral grupi. Ne kemi pasur rreth 15 mijë vdekje, bazuar mbi shkallën e vdekshmërisë që ka Covid, i korrespondojnë rreth 2 milionë rasteve të infektuar. Kemi patur 2 milionë shqiptarë të infektuar në raport me 2,8 milionë shqiptarë”, u shpreh Dasho.