Dëmtohet “miti” Simone Biles, Rusia thyen Shtetet e Bashkuara

Një prej të papriturave më të mëdha në Tokyo 2020 u regjistrua në gjimnastikë për femra. Në garën ekipore, Rusia, atletët e të cilës konkurrojnë me flamurin e Komitetit Olimpik, triumfuan përballë Shteteve të Bashkuara, duke regjistruar titullin e parë në histori në këtë disiplinë.

Edhe pse skuadra ruse u kualifikua si e para në finale, askush nuk e priste që të fitonte arin olimpik. Pavarësisht se shteti është përjashtuar nga Lojërat, për shkak të skandalit të dopingut, në eventin në Japoni sportistët nga Rusia kanë dominuar. Aktualisht ata mbajnë titullin edhe në garën ekipore për meshkuj, pas triumfit të regjistruar të hënën.

Në zhgënjimin e ekipit amerikan ndikoi mungesa e asaj që mund të cilësohet pa mëdyshje gjimnastja më e madhe në histori, Simone Biles.

24-vjeçarja u dëmtua përpara finales dhe u detyrua të qëndronte jashtë ekipit. Edhe pse gjimnastja u shfaq me kyçin e këmbës të lidhur dhe stafi mjekësor i ekipit deklaroi se ka një problem shëndetësor, dyshimet lidhen me problemet psikologjike.

Pak ditë më parë, sportistja e talentuar shkruante në Instagram se i duket sikur ka të gjithë peshën e botës mbi shpatulla. Në momentin kur të gjithë besonin se Simon Biles do të synonte pesë medalje të arta dhe rekordin absolut të sukseseve olimpike, rrugëtimi i saj në Tokyo 2020 rrezikon të ketë mbërritur në fund.