Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Sa kushton jeta e minatorit?

Nga A2 CNN
28 Korrik 2021, 11:09 | Sociale
Sa kushton jeta e minatorit?

Familja Karaj jeton në një banesë thuajse të rrënuar në Bulqizë. Pesë muaj më parë, Fatbardha humbi të shoqin në galeritë famëkeqe të zonës D.

Fiqir Karaj la pas bashkëshorten me tre vajza, dy prej të cilave minorene. E veja tregon se jeton me rreth 14 mijë lekë të reja në muaj, nga të cilat 3600 lekë i merr asistencë vajza e vogël dhe 10 mijë e 600 lekë nga pensioni i invaliditetit të një prej vajzave. E papunë, dhe pa ndihma nga pushteti vendor, Fatbardha thotë se po i rrit me vështirësi fëmijët jetim. Por sa kushton jeta e një minatori?

Sipas përfaqësuesve të CLR, Shqipëria nuk ka një rregullim ligjor për të dëmshpërblyer jetën e humbur. Shuma që familjet duhet të përfitonin nga humbja e kryefamiljarit është e konsiderueshme, ndaj avokati sugjeron që çështjet të ndiqen në gjyq.

"Vetëm një firmë e paguan primin e jetës, shkon deri në 50-60 mijë euro, varet", thotë ai.

Pas vdekjes së kryefamiljarit, familjet e minatorëve humbasin edhe burimin kryesor të të ardhurave, duke i çuar ato drejt skamjes. Të dhënat nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vetëm gjatë tre viteve 2018, 2019 dhe 2020, u plagosën 99 minatorë dhe humbën jetën 18 të tjerë. Përpos shifrave, duket se në rrugët e errëta të galerive, jeta e minatorit është gjithmonë e riskuar për shkak të pasigurisë në punë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani