Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

“U përkeqësuan standardet”, Bylykbashi: Prioritet i reformës, garantimi i lirisë së votës

Nga A2 CNN
28 Korrik 2021, 17:06 | Politikë
“U përkeqësuan standardet”, Bylykbashi: Prioritet i

Cenimi i votës ishte shqetësimi  kryesor që OSBE / ODIHR kishte shënuar në raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit, ku i rekomandonin partive politike që ta zgjidhin me prioritet këtë problem  në mënyrë që t’u sigurojnë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme.

Oerd Bylykbashki, përfaqësues i PD për reformat zgjedhore bën një krahasim të rekomandimeve kryesore të ODIHR ndër vite, ku standardet sa i përket lirisë së zgjedhjeve sipas tij kanë ardhur në përkeqësim.

Për vitin 2021 veçon tjetërsimin e votës së shqiptarëve para ditës së votimit dhe cenimin e fshehtësisë së saj. “Në vitin 2017, problemi kryesor ishte shitblerja e votës, kjo rikonfirmohet. Në vitin 2019 ishte presioni mbi administratën dhe abuzimi me burimet shtetërore, tani kemi edhe cenimin e sekretit të votës. Pra të gjitha themelet për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë të shpartalluara dhe për fat të keq raporti konfirmon që zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme”.

Demokratët janë treguar të gatshëm për një reformë të re zgjedhore, por cili është hapi i parë që na dikton procesi i 25 prillit? “ODIHR ka kuptuar që është ngritur një sistem për kontrollin e zgjedhësve. Ushtrohet presion mbi ta, duke cenuar privatësinë dhe jetën familjare. Ky është problemi i madh që kemi dhe një reformë zgjedhore duhet ta trajtojë këtë çështje", thotë Bylykbashi.

Mungesa e zgjedhjeve të lira ndër vite është një fakt ulëritës sipas Bylykbashit dhe nëse standardet nuk arrihen as me reformën e re përmes kompromisit të rekomanduar nga ODIHR, shqiptarët nuk do të mund të sjellin asnjëherë ndryshimin që kërkojnë.

“Na duhet të shohim të gjitha ato aspekte që i garantojnë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse kjo do të vazhdojë, shqiptarët nuk do të ketë mundësi të prodhojnë rotacion me votën e tyre. Kjo është edhe beteja kryesore që do të kemi sapo të nisë sesioni parlamentar”.

Partia Demokratike ka folur nga forumi më i lartë i saj, Kuvendi Kombëtar, për një platformë me të cilën synonin reformë zgjedhore, Kushtetuese dhe territorial në vend.

A2 CNN Livestream

Dita jonë