“Turp të kesh”, tenisti rus acarohet me gazetarin që i përmend faktin se Rusia përfaqësohet me flamurin e Komitetit Olimpik

medvedev 600x338

Daniil Medvedev, numri dy i botës në tenis, është një nga yjet e paktë të këtij sporti që kanë vendosur që të marrin pjesë në Olimpiadën e Tokios. Dhe prania e tij është ndjerë në të gjitha aspektet.

Fillimisht, në ndeshjen ndaj italianit Fabio Fognini, rusi iu ankua arbitrit kryesor për temperaturat e larta në të cilat po luhej takimi, për shkak të të cilave spanjollja Paula Badosa u tërhoq më parë pasi i ra të fikët. Medvedev u dëgjua duke i bërtitur arbitrit: “Nëse unë vdes, faji është i joti”.

Një ditë më pas, Medvedev pati një përplasje të fortë në sallën e shtypit, me një gazetar që e pyeti nëse ndihej keq që konkurronte nën siglën e Komitetit Olimpik të Rusisë dhe jo me flamurin kombëtar.

“Për herë të parë në jetën time, nuk do t’i përgjigjem një pyetjeje që më bëhet në konferencë për shtyp. Ty duhet të të vijë turp nga vetja. Organizatorët duhet të të largojnë nga këtu”, tha rusi i indinjuar jashtë mase.

Rusia konkurron në Tokio me flamurin e Komitetit Olimpik Rus (ROC) dhe kur sportistët e këtij vendi fitojnë medalje të artë, himni rus nuk luhet. Arsyeja është dënimi që i është dhënë Rusisë në vitin 2020, nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, pasi Rusia i dërgoi analiza laboratorike false hetuesve të Agjencisë Botërore të Antidopingut.