Kampionët e rinj të boksit shqiptar
Stërvitja nuk ndalon në palestër dhe sidomos tani që këta boksierë të rinj kanë statusin e kampionëve të Shqipërisë. Ekipi Studenti rrëmbeu 2 kupa të vendit të parë në Vlorë, për grupmoshat U-18 dhe U-16, në kampionatin kombëtar që u zhvillua nga datat 8 deri në 12 korrik.
“Studenti” nxori 2 kampionë të grupmoshës U-18 dhe 3 fitimtarë për U-16. Mesa duket përkushtimi ka qenë maksimal dhe boksierët e rinj e prisnin rezultatin. Nga nisja e pandemisë ky është kampionati i parë i boksit dhe në këtë aktivitet merrnin pjesë 10 ekipe nga i gjithë vendi. Vendet e dyta dhe të treta u fituan nga Flamurtari, Vllaznia, Teuta dhe Kukësi.
Trajneri Artur Koçi falënderon strukturat vendore dhe drejtuesit e sportklubit, tek të cilët thotë se ka gjetur mbështetje. “Jemi ekip i ri që merr pjesë për herë të parë, ndodhi që me të dy grupmoshat dolëm kampionë”, thotë ai.
Boksierët e rinj mblidhen në palestër për thuajse 2 orë në ditë, jo vetëm për pasion, por duke marrë eksperiencën i kanë vënë vetes edhe pikësynime konkrete, duke u frymëzuar te boksierët e tyre të preferuar
Trajneri i tyre përpiqet që t’u nxisë vrullin për fitore, duke u dhënë taktikat e duhura. Në fakt, Artur Koçi nuk është një emër i padëgjuar në arenën e boksit. Edhe synimi i këtyre kampionëve të rinj orientohet drejt boksit profesionist, aty ku duan të shkojnë një ditë në të ardhmen. Por derisa të mbërrijë ai moment, ata kanë ende rrugë përpara. E ardhmja e afërt po i pret shumë shpejt. Të motivuar nga fitoret në Vlorë, ekipi “Studenti” do të marrin pjesë në kampionatin europian “School Boys” për moshat 13 dhe 14-vjeçare, që do të zhvillohet në datën 10 gusht në Bosnjë-Hercegovinë, nga ku shpresojnë se do të kthehen me fitore. Një tjetër kampionat, kësaj radhe për të rritur, do të zhvillohet në Shkodër, në datën 17 shtator.
Momentalisht ekipi “Studenti”, që është formuar prej pak kohësh, përbëhet nga 40 boksierë të moshave nga 13 deri në 40 vjeç. Kjo skuadër që stërvitet edhe nga dy trajnerët e tjerë Antonet Rrapushi dhe Meris Avdolli synon fitore të tjera, si në kampionatet brenda vendit, ashtu edhe në aktivitete jashtë Shqipërisë. E deri në mbërritjen e lajmit të radhës nga kampionët e sotëm, atyre u mbetet të vazhdojnë stërvitjen pandërprerë në palestrën e tyre.