“Tokyo 2020”, Izmir Smajlaj nuk kualifikohet për në finale

Izmir Smajlaj nuk arriti të kualifikohej për në finalen e kërcimit së gjati në Lojërat Olimpike, duke u renditur vetëm i nënti në grupin B të kualifikueseve.

Maksimumi që mundi të kërcente atleti shqiptar ishte 7,86 metra në provën e dytë, duke arritur deri në vendin e 9, me 10 centimetra më pak se kërcyesi i fundit i kualifikuar.

Në një eveniment sportiv të zhvilluar në Tiranë në muajin maj, Smajlaj kishte arritur të kërcente 8,16 metra, duke thyer rekordin kombëtar dhe duke bërë që të shpresonte për një kualifikim në finalen e kërcimit së gjati.

Në total u kualifikuan 12 atletë, vetëm 3 prej të cilëve kaluan distancën 8,15 metra që ishte kusht për vendin në finale. Ndërsa 9 të tjerët – 3 nga grupi A dhe 6 nga grupi B – arritën rezultate më të dobëta.

Kubani Juan Miguel Echevarria, i cili kërceu në distancën 8,5 metra, është favorit për finalen e të hënës.

Të dielën, Luiza Gega merr pjesë në garën kualifikuese të 3000 metrave, dhe nëse kualifikohet do të garojë edhe në finalen e 4 gushtit.