Historike në atletikë, njeriu më i shpejtë në botë është një italian

Italiani Marcell Jacobs ka bërë historinë në Olimpiadën e Tokios, duke triumfuar në 100 metra me një rekord të ri europian.

27-vjeçari i la të gjithë konkurrentët prapa, pasi arriti të realizojë 100 metra me kohën 9 sekonda e 80 të qindtat, duke thyer edhe rekordin e Europës, i cili mbahej nga Francis Obikelu dhe ishte vendosur 17 vjet më parë. Marcell Jacobs ka lindur në Teksas, por çuditërisht nuk di të flasë anglisht.

Fred Kerley nga Shtetet e Bashkuara siguroi medaljen e argjendit me kohën 9,87, ndërsa Andre De Grasse nga Kanadaja u rendit i treti me kohën 9,89.

Gara e 100 metrave për meshkuj dominohej prej vitesh nga Usain Bolt, i cili u tërhoq nga sporti në vitin 2017pasi triumfoi në 100 dhe 200 metra në tre olimpiada radhazi, nga viti 2008 deri në vitin 2016.