Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Rritet oferta nga Chelsea, 130 milionë euro për Lukakun, tundohet Interi

Nga A2 CNN
4 Gusht 2021, 11:21 | Futboll

Chelsea është i vendosur për të kthyer Romelu Lukakun në Premier League, me çdo kusht. Blutë e Londrës kanë bërë dy oferta zyrtare deri më tani, për një shumë që arrin deri në 110 milionë euro duke përfshirë edhe emra si ai i Markos Alonsos në traktativa, por në të dyja rastet janë përballur me një “jo” nga ana e zikaltërve.

Kampionët e Italisë po përpiqen të mos humbasin të tjera pjesë nga skuadra që fitoi titullin, por duket e pamundur me insistimin e anglezëve që tashmë ofrojnë plot 130 milionë euro.

Në këtë pikë, diferencën mund ta bëjë vetëm dëshira e sulmuesit belg dhe Lukaku duket i hapur për rikthimin në ishull, sipas asaj që raportojnë mediat në Itali.

Lukaku me fanellën e Chelsea, me të cilin ka luajtur vetëm 10 ndeshje në 2011

Nëse ky operacion finalizohet, atëherë kalimi i belgut te Chelsea do të ishte blerja më e bujshme e klubit të Abramovic, njëkohësisht shitja më e shtrenjtë në historinë e klubit milanez. Blutë i sigurojnë bomberit 28-vjeçar 12 milionë euro plus bonuse në një sezon, 4.5 milionë më shumë nga ajo që Lukaku përfiton në Itali.

Inter po përpiqet të rezistojë, por nëse sulmuesi i tyre bindet për t'u kthyer në Angli, atëherë zikaltrit do të hapin rrugë dhe do të duhet të mendojnë për zëvendësuesin e belgut. Duvan Zapata apo Joaquin Correa janë emrat e parë në listën e Simone Inzaghit që mund të marrin përgjegjësinë e golave për kampionët e Italisë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë