Rrufeja vret 17 persona në dasmë, plagoset edhe dhëndri

rrufeja 512x338

Të paktën 17 persona humbën jetën, ndërsa me dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur të mërkurën pasi u goditën nga rrufeja teksa ishin duke festuar në një dasmë në veriperëndim të Bangladeshit.

Dasmorët ishin në një varkë në lumin Padma në qytetin Shibganj, ndërsa po shkonin në shtëpinë e nuses, bënë të ditur zyrtarët vendas. Mes të plagosurve ishte edhe dhëndri.

“Kemi marrë informacionin se 17 persona kanë vdekur, ndërsa disa të tjerë u shtruan në spital”, tha Farid Hossain, një zyrtar i policisë.

Me qindra njerëz humbin jetën çdo vit pasi goditen nga rrufeja në Bangladesh, i cili e ka shpallur këtë fenomen si një fatkeqësi natyrore prej vitit 2015 kur më shumë se 200 persona u vranë vetëm në muajin maj, mes të cilëve 82 në një ditë të vetme.

Shumica e këtyre ngjarjeve ndodhin gjatë muajit mars dhe korrik. Ekspertët kanë thënë se goditjet e rrufesë kanë lidhje me shpyllëzimin.