Ushqimet dhe shkaqet e vdekjeve në Shqipëri
Më shumë se 420 000 persona humbin jetën çdo vit në botë si pasojë e ushqimeve të pasigurta. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, produktet ushqimore të rrezikshme janë shkaktare për rreth 600 000 të sëmurë në vit.
Në Shqipëri, sëmundjet e zemrës, tumoret, ato endokrinë të ushqyerit dhe problemet e aparatit tretës, janë kthyer në një shqetësim të përditshëm për qytetarët. Vetëm gjatë vitit të shkuar, 18 653 persona humbën jetën si pasojë e këtyre grup-sëmundjeve duke përbërë mbi 67% të vdekjeve totale.

Sëmundjet kardiovaskulare, që në një pjesë të konsiderueshme shkaktohen nga keq-ushqyerja dhe ushqimet e pasigurta kryesojnë listën e shkaqeve të vdekjeve në vend. Gjatë vitit pandemik, 14422 vetë humbën jetën si pasojë e problemeve në aparatin e qarkullimit të gjakut. Thënë ndryshe, vdekjet nga zemra përbënë 52,24% të vdekjeve në total.

“Trendi fillestar ka pasur një reduktim të shtrimeve në spital gjatë periudhës së lockdown-it dhe periudhës së parë të pandemisë. Kjo e lidhur ndoshta kryesisht edhe me frikën që kishin vetë njerëzit për të aksesuar shërbimet mjekësore, nga frika e infektimit, të cilat mund të shkaktojnë në të ardhmen mosqasjen ndaj kontrollit mjekësor, mund të shkaktojë rritje, në muajt e vitet që pasojnë të sëmundjeve kardiovaskulare. Kjo është parë gjatë vitit të shkuar, por ne shohim që gjatë këtij viti jemi kthyer në vlera normale sëmundshmërie, në mos mund të kemi ndonjë vlerë të shtuar. Nuk mund të themi që është e lidhur me Covid-19, pra pasoja që sjellë vetë sëmundja, por mund të jenë edhe të tilla”
Leonard Simoni, mjek kardiolog
Më shumë se 61000 qytetarë kanë humbur jetën nga sëmundjet e zemrës në 6 vitet e fundit, trendi i së cilës ka qenë në rritje nga viti në vit duke kulmuar në 2020-n. Në krahasim me vitin 2016, vdekjet si pasojë e sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjatë vitit të shkuar u rritën me 2785.

Por cilët janë faktorët dhe ushqimet që ndikojnë më së shumti në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare?
“Kequshqyerja, apo ushqyerja jo në mënyrë adeguate, pra ngrënia me shumicë e yndyrave dhe sheqernave, do të nxisë një sërë faktorësh rreziku, si diabeti apo hipertensioni, të cilat të kombinuara edhe me mosaktivcitetin fizik, do të çonin në shfaqjen e hershme të sëmundjeve koronare, si dhe është shtimin e vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare”
Sinkron Leonard Simoni, mjek kardiolog
Sëmundjet tumorale janë kërcënimi tjetër i shëndetit të qytetarëve duke qenë shkaku i dytë i vdekjeve në vend. Gjatë vitit të shkuar, si pasojë e tyre humbën jetën 3,589 persona, ndërsa prej vitit 2016 shifra e vdekjeve ka shkuar në 18092.

“Në të gjithë globin, shkaku i dytë i vdekshmërisë janë sëmundjet tumorale, për fat të keq. Kanceri i zorrës, i stomakut, i gojës, ezofagut, janë ata që kanë dy grupe faktorësh ndikues të drejtpërdrejtë: njëri është predispozicioni gjenetik dhe tjetri mënyra e të ushqyerit”
Sinkron Majlinda Ikonomi, mjeke anatomo-patologe
Edhe në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, ushqimet kanë një ndikim të drejtpërdrejtë. Mjekët apleojnë që përveç kujdesit vetjak, strukturat e ngarkuara të kryejnë kontrolle për cilësinë dhe sigurinë e produkteve që konsumojmë.
“Kontrolli ndaj ushqimit në fakt është global. Kontrolli është barrë e strukturave që merren me kontrollin ushqimor dhe strukturave që merren me promovimin e ushqimit dhe sjelljes së shëndetshme. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për t’u ushqyer shëndetshëm, strukturat publike dhe private që merren me kontrollin ushqimor të bëjnë me përgjegjësi punën e tyre, në mënyrë që ushqimet të cilat futen të jenë të kontrolluara”
Majlinda Ikonomi, mjeke anatomo-patologe
Ndalemi tani te sëmundjet endokrine të ushqyerit, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 1500 qytetarëve në 6 vitet e fundit. Vetëm gjatë viti të shkuar, ato u morën jetën 371 personave.

“Ne e dimë fare mirë që modifikimet fillojnë që nga farat, që nga mënyra sesi kultivohet një produkt, që nga mënyra sesi përpunohet një produkt dhe si serviret ai. Nuk jam ekspert i bioagrologjisë, por di t’iu them që sa më shumë modifikime të kemi, do të sjellë pasoja në organizëm, në forma të ndryshme”
Dashamir Gjergji, mjek endokrinolog
Ndërhyrjet që fermerët bëjnë në fazën e parë dhe më pas tregtarët para se t’i sheshin, bën që shumë produkte ushqimore të shfaqin një shkallë të lartë rrezikshmërie për të shkaktuar sëmundje e kësisoj vdekje.
“Përveç industrisë ushqimore, e cila duke futur substanca për t’i bërë më joshëse ushqimet, apo për të sjellë më shumë kalori, nga ana tjetër kemi shkuar drejt eliminimit të marrjes së disa elementeve që nuk sjellin kalori, por janë të domosdoshme për tretjen. Nëse marrim fastfood-et, nëse konsumojmë një hamburger që mund të ketë kalori sa një drekë e zakonshme klasike që konsumohej para 50 vitesh, atëherë kuptohet që këto kalori, vërtet mund t’i sigurojë organizmi, por fatkeqësisht i merr shpejt dhe nga ana tjetër rikthehet shpejt në gjendjen e urisë. Edhe procesi i ushqyerjes duhet të zgjasë në kohë, dhe këtë e siguron marrja e fibrave. Nga ana tjetër ushqimet natyrale sigurojnë edhe vitaminat, që shërbejnë si substanca që stimulojnë procese të caktuara të metabolizmit. Ndaj ushqimet e gatshme, me substanca jo natyrale, por qoftë edhe mishi, sepse sa më proteinike të jetë masa që modifikohet, aq më rrezikshme bëhet për sëmundjet kanceroze kryesisht”
Dashamir Gjergji, mjek endokrinolog
Për shkak edhe të mënyrës se si është ndërtuar dhe funksionit, aparati tretës është shkaktari i katërt i vdekjeve në vend, ndonëse nga viti në vit shifrat kanë pësuar luhatje. Gjatë vitit pandmeik, 271 qytetarë humbën jetën si pasojë e sëmundjeve të stomakut.

“Nuk po dimë çfarë po hamë e çfarë po marrim. Dhe ndoshta kjo është një arsye primare që janë shtuar tumoret, janë shtuar sëmundshmëritë, por që ai që e ndjen primare, është aparati tretës, sepse është kontakti i parë që marrin ushqimet. Dhe duke pasur shumë toksina dhe pesticide bëjnë gjëmën. E para që dëmtohet është mëlçia, pankreasi, zorra… Prandaj të sëmurët i vuajnë edhe mendërisht… Janë bërë nevrastenik sepse ndihen të shqetësuar çdo ditë”
Vigjilenca Demiraj, mjeke gastrologe
Për mjekët, ushqimet e konsumuara nga fast-food paraqesin një rrezikshmëri të lartë në shfaqen e sëmundjeve të aparatit tretës.
“Fastfood-et kanë pataten e skuqur. Vaji që digjet prodhon toksina të papara, që janë shumë toksike për stomakun dhe zorrët. Vaji duhet të përdoret për të skuqur deri në 12 porcione, ndërsa këtu sigurisht përdoret në shumë më tepër. Tjetër është që këto përgatiten me simite që janë miell i bardhë, ato kanë shumë sheqerna, shumë karbohidrate, që japin probleme në mëlçi dhe pankreas, dhe fryrje të zorrëve, dhe shtojnë obezitetin në këto persona. Plus që kanë qoftet që nuk dihet me çfarë bëhen, me çfarë mbeturinash mishrash…”
Vigjilenca Demiraj, mjeke gastrologe
Në Shqipëri, organi që ka për detyrë të garantojë sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. AKU është e ngarkuar të kryejë veprimtari inspektuese, teknike dhe shkencore në këtë fushë gjatë gjithë kohës.
Gjatë vitit të shkuar, si pasojë e kontrolleve, autoriteti në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bllokoi 52378 ton ushqime, 4224 ton më pak se në vitin 2019.
Ndërsa, sasia e ushqime të asgjësuara gjatë vitit të shkuar ishte shumë më e lartë se në 2019-n. Sipas të dhënave nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë 2020-s u asgjësuan 3 767 216 ton nga 34 101 ton në 2019-n.
Qumështi, mishi dhe nënproduktet e tyre përbënë peshën më të madhe në totalin e ushqimeve të asgjësuara. Sipas AKU, nga inspektimet e kryera u konstatua përmbajtje salmonele kryesisht në produktet me prejardhje nga Polonia, Lituania dhe Brazili.
Qytetarët nga ana tjetër, thonë se nuk ndihen të sigurt për ushqimet që konsumojnë. Të tjerë, pranojnë se kontrollojnë së paku për skadencën kur blejnë produkte ushqimore.
“Unë konsumatorit i bëj thirrje që të jenë shumë të kujdesshëm me llojet e produkteve dhe vende ku vendosin të blejnë. Është zgjedhja e tyre dhe nuk mund t’u imponohet, por padyshim që blerjet që kryhen në një njësi tregtimi që ti e shikon me sy të lirë që ka një investim, një seriozitet në paraqitjen që i bën dhe si i tregon këto produkte, në krahasim me një shitës ambulant, pa dashur të paragjykoj… Unë vetë, në momentin që do të blej për familjen time nuk shtyhem që të blej shishen e qumështit te tregu fshatar sepse është më i freskët, duke ditur ka rrezikshmëri, apo i ka kaluar zinxhirit të kontrollit…”
Pamela Radovani, përgjegjëse e Informimit Publik dhe Koordinimit Ndërinstitucional në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU)
AKU thotë se ankesat e qytetarëve lidhur me sigurinë ushqimore janë në nivele të konsiderueshme, ndërsa mishi dhe bulmetet përbejnë shkallën më të lartë të rrezikshmërisë për të qenë të pasigurt.
“Me nivel të lartë risku gjithmonë paraqiten produktet me origjinë shtazore. Sidomos tani, me rritjen e temperaturave, produktet e bulmetit, qumështi, akulloja, kanë një tjetër ndjeshmëri përkundrejt produkteve të tjera. Kështu që kemi një përqendrim më të madh te inspektimeve gjatë sezonit turistik pikërisht për këtë arsye, por vëmendja është përgjatë gjithë vitit”.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Globalizimi i tregtisë së ushqimeve dhe kafshëve, ka zgjeruar gamën e ushqimeve në dispozicion të konsumatorëve nga një anë, por nga ana tjetër ka rritur rrezikun për shëndetin, duke shënuar kështu sfida të reja ndaj sigurisë ushqimore në dekadat e fundit.
Ky është një prodhim i A2 CNN
Gazetar: Marjo Brakaj
Operator: Erald Kuçuku, Armand Qafoku, Eugert Hoxhaj
Montazh dhe Postproduksion: Eliona Baliaj
Postproduksion Audio: Mersin Imeraj
Arkiva: Dorina Ethemaj
Grafika: Grejsi Shehu
Promocioni: Bledi Linza
Kryeredaktor: Elert Yzeiri
Ky material u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.