Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Rikthehet transporti ajror, tregun shqiptar e dominojnë linjat low-cost

Nga A2 CNN
12 Gusht 2021, 16:48 | Ekonomi
Rikthehet transporti ajror, tregun shqiptar e dominojnë linjat low-cost

Industria ajrore ka nisur rimëkëmbjen pas goditjes së fortë që mori prej pandemisë, ku shumë shtete bllokuan kufijtë apo vendosën masa të forta për lëvizjet. Rihapja e kufijve të BE-së dhe sezoni veror kanë rikthyer lëvizjet e shtetasve të huaj drejt Shqipërisë, si dhe të shqiptarëve që kryejnë vizita jashtë vendit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për gjysmën e parë të vitit, 756 mijë pasagjerë kanë udhëtuar me anë të transportit ajror. Me muajt Korrik-Gusht-Shtator që sjellin mbi 35% të totalit të udhëtarëve në vend, pritet që shifra në fund të vitit të jetë sa dyfishi i fluturimeve gjatë 2020-ës.

Destinacionet kryesore pavarësisht kushteve vijuan të jenë Milano, Roma, Stambolli dhe Londra, me Italinë që zë pjesën dërrmuese të udhëtimeve. Ndërsa edhe ecuria e charterave, që kryejnë fluturime të posaçme për turistët ka pasur një ecuri të kënaqshme.

Por pavarësisht se preferencat në destinacione nuk kanë ndryshuar, pjesa e tregut që zë secila linjë ajrore ka pësuar ndryshime madhore. Dy kompani zënë sot mbi gjysmën e tregut, me Wizz Air që zë sot 35% të udhëtarëve, ndjekur nga Air Albania me 17%. Përpara pandemisë, dy linjat më të frekuentuara ishin Blue Panorama dhe Ernest Airlines, të dyja kompani që nuk operojnë më në Shqipëri.

Rihapja e kufijve të BE-së për shqiptarët solli fillimisht një rritje të menjëhershme të kërkesës e rrjedhimisht të çmimeve të biletave. Por tregu mbetet i orientuar nga low-cost-i, me linja të tilla që po shtojnë vazhdimisht numrin e destinacioneve.

Me interes pritet impakti që do të sjellë nisja e fluturimeve nga aeroporti i Kukësit, që krahas destinacioneve të reja, premton të ulë më tej çmimet.

A2 CNN Livestream

Dita jonë