
“Open Balkan”, DASH: Tregu i Përbashkët, esencial për përparimin e Ballkanit
Reagime për nismën “Open Balkan” kanë ardhur edhe nga SHBA. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se SHBA mbështet vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal.
Përmes kësaj deklarate të DASH, SHBA-të iu bëjnë thirrje udhëheqësve në rajon “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.
Po ashtu theksohet se krijimi e një Tregu të Përbashkët Rajonal – i tillë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, është me rëndësi “esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike”.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian”, theksohet me tej në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.