Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Reuters: SHBA, bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për strehimin e afganëve

Nga A2 CNN
13 Gusht 2021, 21:34 | Politikë
Reuters: SHBA, bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me më shumë vende, sesa ato që ishin bërë publike, për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, kanë deklaruar katër zyrtarë amerikanë për agjencinë Reuters.

Diskutimet e pa raportuara më parë me vende si Kosova dhe Shqipëria nënvizojnë dëshirën e administratës për të mbrojtur afganët e lidhur me SHBA-në nga hakmarrjet talebane, ndërkohë që ata përfundojnë të sigurt procesin e miratimit të vizave të tyre amerikane.

Sipas burimeve të Reuters, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Talebanët kanë shtuar kontrollin e tyre mbi Afganistanin me një ritëm të shpejtë, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë 1000 personel në Katar për të përshpejtuar përpunimin e aplikimeve për Vizat Speciale të Imigrimit (SIV).

Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane dhe në punë të tjera kanë të drejtë të aplikojnë për programin SIV.

Hezitimi për të pranuar afganët

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19 para se të lejoheshin të fluturonin.

Administrata e Biden po eksploronte që Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani të merrnin mijëra aplikantë, por kjo përpjekje nuk ka bërë përparim.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i tha agjencisë Reuters se “mund të priten shqetësime të llojit: 'Kush janë këta njerëz? Si i njihni këta njerëz? A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin viza në Shtetet e Bashkuara?".

Por, ky zyrtar nuk pranoi të konfirmojë se me cilat vende po zhvillojnë bisedime Shtetet e Bashkuara.

Një marrëveshje me Katarin për strehimin e rreth 8,000 afganëve është përfunduar para disa javësh, tha një zyrtar amerikan, por ajo zyrtarisht ende nuk është bërë e ditur.

Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që ndryshon me shpejtësi.

Ngurrimi i disa vendeve ka bërë që administrata të apelojë tek të tjerët që mund të jenë të gatshëm të ndihmojnë nëse Uashingtoni jep një ndihmë, thanë zyrtarët.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar koncesione ekonomike dhe politike për Kosovën për marrjen e disa mijëra afganëve, por ka shqetësim në Uashington për aftësinë e saj për të strehuar afganët, thanë burimet.

Ministria e jashtme në Kosovë nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Po kështu ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment, raporton Reuters.

Deri më tani, rreth 1,200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3,500 në javët e ardhshme.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani