Kush janë talebanët dhe si e morën ata kaq shpejt kontrollin e Afganistanit?

Përditësuar më: 17/8/2021, ora 17:39

Kush janë talebanët dhe si e morën ata kaq shpejt kontrollin e Afganistanit?

Përditësuar më: 17/8/2021, ora 17:39

Vetëm pak ditë më parë, analistët e shërbimeve inteligjente amerikane kishin parashikuar se Kabuli do të binte nën kontrollin e talebanëve pas disa javëve. Në të vërtetë, u deshën pak orë që ky parashikim të realizohej.

Të dielën, militantët rimorën kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit thuajse dy dekada pasi ishin larguar prej aty nga ushtria amerikane. Edhe pse forcat afgane të sigurisë ishin të pajisura mirë dhe me fonde të mjaftueshme, ata bënë fare pak rezistencë teksa aleatët e tyre amerikanë nisën të largoheshin në mes të korrikut.

Kjo fitore e talebanëve, e papritur edhe për vetë ata, ka ngritur shumë pyetje mbi ekzistencën e tyre si grupim ushtarak e politik dhe objektivat e tyre në Afganistan, apo jashtë tij.

Kush janë talebanët?

Të formuar në vitin 1994, talebanët janë një grupim i përbërë nga ish-luftëtarë të rezistencës, të njohur si muxhahedinë, të cilët luftuan kundër pushtuesve sovjetikë në vitet 1980. Synimi i tyre është vendosja e ligjeve të islamit sipas interpretimit të tyre dhe largimi i ndikimeve të huaja.

Pasi morën kontrollin e Kabulit në vitin 1996, vendosën rregulla strikte për jetën e përditshme. Gratë duhet të mbuloheshin nga koka te këmbët, nuk u lejohej të mësonin apo të punonin dhe gjithashtu iu ndalua që të udhëtonin të vetme. Televizionet, muzika dhe festat jo myslimane gjithashtu u ndaluan.

Gjërat për ta ndryshuan pas 11 shtatorit 2001, kur 19 burra morën kontrollin e 4 avionëve civilë në SHBA, 2 prej të cilëve i përplasën te Kullat Binjake, njërin mbi Pentagon dhe një tjetër, me objektiv Uashingtonin, u rrëzua në një fushë në Pensilvani. Më shumë se 2700 persona humbën jetën.

Sulmi ishte orkestruar nga lideri i Al-Qaeda-s, Osama bin Laden, i cili vepronte nga brenda Afganistanit. Më pak se një muaj pas sulmit, Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate pushtuan Afganistanin, me synimin për të ndaluar talebanët që të ofronin mbështetje për organizatat terroriste. Pasi humbën pushtetin, për dy dekada talebanët kanë luftuar kundër forcave qeveritare afgane dhe atyre amerikane.

Kush janë udhëheqësit?

Talebanët drejtohen nga Mawlawi Haibatullah Akhundzada, një klerik i nivelit të lartë që vjen nga brezi i themeluesve të grupimit. Ai u emërua si udhëheqësi i talebanëve në vitin 2016, pasi pararendësi i tij, Mullah Akhtar Mohammad Mansour, u vra nga një sulm ajror amerikan në Pakistan.

Një tjetër personazh kryesor është Mullah Abdul Ghani Baradar, bashkëthemelues i talebanëve, i cili u la i lirë në vitin 2013 pasi ishte arrestuar 3 vite më parë në Karaçi të Pakistanit. Baradar kryeson komitetin politik të grupimit dhe së fundmi është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi.

Për çfarë ranë dakord talebanët me presidentin Donald Trump?

Në vitin 2017, talebanët i dërguan një letër të hapur presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, ku i bënin thirrje që të tërhiqte trupat nga Afganistani. Pas një viti negociata, palët firmosën një marrëveshje paqeje në vitin 2020. Shtetet e Bashkuara ranë dakord që të tërhiqnin trupat dhe të lironin rreth 5000 talebanë, ndërsa këta të fundit ranë dakord të ndërmerrnin hapa për të ndaluar çdo individ apo grup, përfshi edhe Al-Qaeda-n, që të kërcënonin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nga Afganistani.

Por vendi sërish nuk gjeti paqe.

Dhuna në Afganistan u rrit në nivelet më të larta të dy dekadave të fundit. Talebanët shtuan zonat e kontrolluara prej tyre në të gjithë vendin dhe deri në fund të qershorit të këtij viti, sipas një raporti të Këshillit të Sigurisë së OKB, kishin rreth 50-70% të territorit jashtë zonave urbane nën kontroll. Raporti paralajmëronte se forca e tyre përbënte kërcënim për qeverinë afgane.

Çfarë duan talebanët?

Këtë herë, talebanët janë përpjekur ta paraqesin veten ndryshe nga e kaluara, pretendojnë se janë të përkushtuar për një proces paqeje, një qeveri gjithëpërfshirëse dhe duan të ruajnë disa të drejta grave.

Zëdhënësi i talebanëve Sohail Shaheen, tha se femrave do t’i lejohet të ndjekin shkollën fillore dhe të mesme, një ndryshim nga rregullat e vendosura në periudhën 1996-2001. Shaheen tha gjithashtu se diplomatët, gazetarët dhe organizatat joqeveritare mund të vijonin aktivitetin e tyre në vend.

Pse talebanët rezultuan kaq të fortë përballë forcave afgane?

Përgjatë dy dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në Afganistan, ndër të tjera për të stërvitur edhe ushtarë dhe efektivë të policisë vendase, duke iu dhënë edhe pajisje moderne.

Carter Malkasian, ish-këshilltar i shefave të shtabit të SHBA, gjithashtu autor u librit “Lufta Amerikane në Afganistan”, tha për CNN se afganëve u mungon koordinimi dhe morali. “Sa më shumë humbje pësonin, aq më shumë i ulët ishte morali i tyre dhe aq më shumë dorëzoheshin para talebanëve.

Sipas të dhënave deri në muajin shkurt, të ofruara nga një raport i Këshillit të Sigurisë të OKB, Afganistani kishte 308 mijë personel sigurie, mes ushtrisë dhe policisë. Ndërsa luftëtarët talebanë llogaritet të jenë diku rreth 58 – 100 mijë. Por siç edhe u vërtetua në terren, ata nuk zmbrapsën dot ofensivën e kundërshtarëve. Zëdhënësi i talebanëve, Shaheen, tha se nuk u befasua nga suksesi ushtarak. “Ne kemi rrënjët te populli, ishte një kryengritje popullore. Kemi 20 vite që e themi këtë, por askush nuk na besoi”.