A2 SPECIALE

Tregtimi i kafshëve të gjalla

A2 CNN | Investigative Network Albania

Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shqipëri

Ky është një nga shumë tregjet e Shqipërisë ku shiten dhe blihen kafshë të gjalla. Për çdo ditë, tregtimi i kafshëve të gjalla ndodh në qytete të ndryshme të vendit, por ajo që të shqetëson më tepër janë kushtet e kryerjes së këtij aktiviteti.

Në këtë hapësirë publike, pranë linjës hekurudhore, dhe jo shumë larg autostradës së Rrugës së Kombit, fermerë e tregtarë dalin të shesin e të blejnë. Trajtimi i kafshëve nuk përmbush as kushtet më minimale të një rrethimi, strehe, vendi për pirjen e ujin apo konsumin e ushqimit. Po ashtu në këtë treg mungon dhe një thertore, e detyruar me ligj për çdo treg që kryen aktivitetin e shit-blerjes së kafshëve, por mbi të gjitha, për të therur kafshët që shkojnë për konsum apo që mund të pësojnë një gjendje jo të mirë shëndetësore, e cila duhet therur menjëherë.

Certifikata lëvizëse është një nga treguesit e domosdoshëm për të treguar gjendjen shëndetësore të kafshës por edhe origjinën e saj. E ky monitorim kaq i rëndësishëm, nuk e pamë të kryhej në këtë treg.

Sot kemi një rrëmujë në procesin e lëvizjes dhe therjes së kafshëve. Kemi kafshë që lëvizin të paidentifikuara, pa matrikull dhe ky është burim i hapur infeksioni. Shërbimi veterinar nuk e përmbush detyrën e vet.

Ervin Resuli, ekspert bujqësie

Madje, për këta veterinerë pranë tregjeve duhet të ketë një zyrë të veçantë për ushtrimin e detyrës.

Certifikata lëvizëse është një nga problemet e mbartura ndër vite në funksionimin e tregjeve të kafshëve të gjalla në Shqipëri.

Certifikata veterinare ka qenë problem i hershëm. Kur u krijua Urdhri i Mjekëve dhe Veterinerëve, nisi të kontrollonte certifikatat e kafshëve dhe u pa se ishte një kakofoni që nuk e merrte vesh njeri. Certifikata garanton kontrollin e kafshëve që shkojnë për therje. Duke patur abuzime me këto certifikata, krijohen probleme të mëdha me sigurinë ushqimore.

Kristaq Bërxholi

Situata pranohet edhe nga Ministria e Bujqësisë, e cila ka ndërmarr së fundmi hartimin e një Ligji për Veterinarinë.

Certifikata e lëvizjes është dokumenti kryesor që lëshohet nga veterineri për lëvizjet e kafshëve. Patjetër që ka pasur problematika, pasi mbi 2 milionë kafshë nuk mund të kontrolloheshin nga 150 veterinerë që kryenin edhe detyra të tjera. Me krijimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, kjo trupë veterinerësh do të shkojë në 660 të tillë.

Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë

Reforma e nisur, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, synon pikërisht kalimin në një tjetër etapë në sektorin veterinar.

Sipas ekspertëve, marrja e kompetencave nuk jep rezultate konkrete në terren.

Kompetencat të mos centralizohen, por të përhapen. Kemi një mishmash në shërbimet veterinare dhe dhënia e kompetencave për bashkitë nga Ministria e Bujqësisë, mua më duket jo e rregullt dhe joligjore. Në botë, tregjet menaxhohen nga bashkitë, por ne ende nuk kemi struktura në bashki të përcaktuara ligjërisht. Secili bën sipas dëshirës.

Kristaq Bërxholi, ekspert bujqësie

Por, ky ligj ka marrë më shumë kohë seç duhet, e madje nuk mbështetet nga të gjitha grupet e interesit.

Ka kaluar një vit dhe kompetencat e veterinerëve të bashkisë nuk i kanë kaluar ende pushtetit qendror. Ajo çka duhet theksuar është se ligji i shërbimit veterinar nuk mori miratimin e të gjitha grupeve të interesit. Ligji nuk funksionon pasi nuk u përfaqësua nga të gjithë aktorët e përfshirë në ligj.

Ervin Resuli, ekspert bujqësie

Në Shqipëri, ka pak tregje të licencuara, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre funksionojnë jashtë parashikimeve ligjore.

Për ekspertët e sektorit veterinar në Shqipëri tregtia e kafshëve kryhet jashtë çdo standardi europian, dhe tregjet janë tashmë prej vitesh në këtë gjendje.

Kudo në botë, tregjet bëhen me kriteret më të forta sa i përket sigurisë ushqimore, pasi tregjet janë vende ku mund të përhapen shumë infeksione.

Kristaq Bërxholi, ekspert bujqësie

Problematikat më të mëdha duket se hasen në bashkitë e vogla, të cilat, për shkak të mungesës së fondeve dhe burimeve njerëzore, nuk kryejnë mbarëvajtjen e tregjeve.

Ka bashki që nuk e përballojnë dot koston e tregjeve.

Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë

Këtu, nuk jemi në ndonjë uzinë të vjetër apo ndonjë biznes të rrënuar, jemi në një tjetër ambient ku shiten kafshë të gjalla. Ndodhemi në Fier. Në këtë hapësirë, ka një portë hyrëse dhe një gardh rrethues, por asgjë tjetër që garanton tregtimin e sigurt të kafshëve të gjalla. Edhe përse në këto kushte, tregu funksionon prej vitesh njëherë në javë.

Ky treg administrohet nga privatët. Nuk ka standarde sipas ligjit. Bashkia e Fierit po planifikon ndërtimin e një tregu të ri.

Erald Qirjo

Ky treg, ashtu si shumë të tjerë në Shqipëri, nuk ka thertore, duke mos ofruar siguri për konsumatorin.

Pak kilometra nga qendra e qytetit të Fierit, është duke u ndërtuar një treg i ri për shitjen e kafshëve të gjalla. Dukshëm, parametrat dhe struktura e tij duket brenda standardeve europiane. Inaugurimi i tij nuk është bërë ende, por pritet që së shpejti të nisi funksionimin. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, do të duhet ende disa vite për përmirësuar situatën e tregjeve të kafshëve të gjalla.

Për 4-5 vite, situata në tregjet e kafshëve do të jetë shumë ndryshe nga ajo që është sot.

Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë

Për ekspertët, kjo kohë duket e largët dhe se tregjet aktuale përmbajnë një rrezik potencial për përhapjen një sërë sëmundjesh.

70% e infeksioneve vijnë nga kafshët dhe burimet kryesore të infeksionit janë tregjet e kafshëve.

Kristaq Bërxholi, ekspert bujqësie

Sot, mungojnë një sërë kontrollesh në tregjet e shit-blerjes së kafshëve të gjalla, të cilat shtojnë edhe më tej rrezikun e krijuar përreth tyre. Rregullimi i shërbimit veterinar, mbarëvajtjes së tregjeve dhe dhënies së shërbimit nga veterinerët, sipas ekspertëve zgjidhet duke përfshirë të gjithë aktorët e sektorit.

Ne i dërguam një kërkesë për informacion edhe autoritetit kombëtar të veterinarisë, mbi numrin e tregjeve të mbyllura për shkak të mosplotësimit të kushteve, shumës së gjobave që janë vendosur dhe numrin e tyre sipas subjekteve përkatëse. Por për këto pyetje, nuk morëm një përgjigje duke na thënë se kërkesën tonë duhet t’ia delegojmë të gjitha bashkive të Shqipërisë. E derisa kjo periudhë e vështirë transicioni të ndodh për sistemimin e plotë të sektorit veterinar, mbarëvajtjen e tregjeve dhe rritjes së sigurisë ushqimore, është konsumatori ai i cili duhet të tregojë kujdes në blerjen e produkteve dhe nënprodukteve të mishit dhe qumështit në dyqan. I pambrojtur, konsumatori i mbetet të besoj në pjesën më të madhe shitësin se mishi apo djathi që po blen, është bio dhe i fshatit.

Ky është një prodhim i A2 CNN
Gazetar: Armend Pire
Operator: Endrit Myftari, Endrit Aga
Montazh dhe Postproduksion: Eliona Baliaj
Postproduksion Audio: Mersin Imeraj
Arkiva: Dorina Ethemaj
Grafika: Grejsi Shehu
Promocioni: Bledi Linza
Kryeredaktor: Elert Yzeiri

Ky material u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.