Të gjithë duan të ikin nga Afganistani: Kaos në aeroport, 12 vetë u vranë në rrëmuja

Përditësuar më: 19/8/2021, ora 11:30

Të gjithë duan të ikin nga Afganistani: Kaos në aeroport, 12 vetë u vranë në rrëmuja

Përditësuar më: 19/8/2021, ora 11:30

Luftëtarët talebanë rrethuan aeroportin e Kabulit të enjten dhe qëlluan me armë në ajër për të penguar hyrjen e shumë afganeve që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara. Skena kaotike u raportuan pranë zonës, ndërsa qeveritë e vendeve të ndryshme nxitojnë të kthejnë në atdhe shtetasit e vet, dhe kolegë afganë. Mbi 5 mijë persona janë evakuuar përmes aeroportit që po kontrollohet nga trupa të posaçme amerikane. Dhjetëra avionë nga rreth 15 vende janë dërguar në Kabul për të ndihmuar me evakuimet. Megjithatë Uashingtoni nuk jep garanci për kalim të sigurt për në aeroport.

Gjenerali Mark Milley: Trupat tanë janë në rrezik…Ne jemi Shtetet e Bashkuara dhe do të evakuojmë të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen nga Afganistani. Ata janë prioriteti numër një. Gjithashtu duam të evakuojmë edhe ata që na kanë mbështetur për vite me radhë. Do të ndihmojë sa të mundemi. Trupat tanë në Kabul po ndërmarrin një rrezik të madh për përmbushjen e këtij misioni.

Rreth 11 mijë shtetas amerikanë mbeten ende në vend, raporton agjencia e lajmeve AFP. Një total prej 12 personash janë vrarë brenda dhe rreth aeroportit të Kabulit që prej të dielës, sipas një zyrtari taleban.

I cituar në kushte anonimiteti nga agjencia e lajmeve Reuters, ai thotë se vdekjet kanë ndodhur si pasojë e të shtënave me armë dhe shkeljeve nga turma.

Tre persona u vranë në Xhalalabad, ku qytetarët protestuan kundër zëvendësimit të flamurit kombëtar me atë të talebanëve. Pavarësisht premtimit për të udhëhequr në paqe, luftëtarët talebanë qëlluan me armë për shpërndarjen e protestueseve  që donin të rivendosnin flamurin kombëtar në një shesh të qytetit.  

Militantët që duan të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, u takuan me ish-presidentin afgan Hamid Karazi për bisedime. Atyre ju bashkua edhe ish-negociatori i qeverisë në bisedimet për paqe, Abdullah Abdullah në sinjalin e parë të bashkëpunimit mes talebanëve dhe qeverisë së përmbysur pas pushtimit të Kabulit.