Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

“Hallet e bujqësisë”, informaliteti dhe premtimet e pambajtura

Nga A2 CNN
23 Gusht 2021, 21:29 | Aktualitet
https://youtu.be/XSjB2CeY7U0

Shqipëria është nga vendet e pakta në Europë e Rajon, ekonomia e së cilës ka një varësi të theksuar nga bujqësia. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, kontributi i saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në 19,3 për qind gjatë vitit të shkuar nga 18,9 për qind që ishte në vitin 2019.

“Në qoftë se ne do shikojmë mesataren e Bashkimit Europian, atë që kemi si objektiv final, ku duam të arrijmë, ka vetëm 2% të GDP. Në Ballkanin Perëndimor shohim se Maqedonia e Veriut e ka vetëm 8% impaktin e bujqësisë në ekonomi, apo Serbinë që është diku te 10%. Fakti që pesha e saj është kaq e rëndësishme tregon prapambetje”

Klodian Muço, pedagog, ekspert për ekonominë

Në krahasim me vendet e Rajonit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të të punësuarve në bujqësi se çdo vend tjetër. Sipas të dhënave nga institutet e statistikave, në vend janë mbi 40 për qind e të punësuarve në këtë sektor, krahasuar me 19 për qind në Bosnjë Hercegovinë e Serbi, 16.4 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe vetëm 7.6 për qind në Malin e Zi.

Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e fermerëve në Shqipëri janë informalë, e nëse paligjshmëria është fjala që kemi dëgjuar më shpesh këto vite, shifrat e sektorit të bujqësisë janë më të frikshmet. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vend janë mbi 355 mijë ferma bujqësore, ndërsa vetëm 61000 prej tyre janë formalizuar. Pra, më shumë se 85 për qind e fermerëve nuk identifikohen me anë të një NIPT-i.

“Në qoftë se i referohemi një studimi të fundit të bërë nga Banka Botërore, rezulton se shkalla e informalitetit për Shqipërinë është diku te 5 miliardë dollarë. Në këtë kontekst, informaliteti i bujqësisë është në një shkallë më të lartë, i cili shkon rreth 70%”.

Ndoc Faslia, ekspert për bujqësinë

Fenomeni u konfirmua edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në një raport të fillimit të këtij viti në të cilin thuhej punësimi informal në vend është gati 57 për qind. Sipas raportit, nga totali i punonjësve “në të zezë”, 63,9% i përkasin sektorit të bujqësisë.

Ky hendek u thellua edhe më tej gjatë vitit pandemik, ku ndonëse numri i bizneseve në bujqësi u rrit me 7,2 për qind, kontribuuesit ranë me 24 për qind.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërorë vitin e kaluar paguan sigurimeve vetëm 46 mijë e 743 fermer me një rënie 24 % në raport me vitin 2019 dhe 7,2 për qind më pak se, bizneset e regjistruar në tatime.

“Ka ndikuar edhe të një shkëputje që pati procesi i kontrollit dhe i bashkëpunimit mes institucioneve që merren me çështjet e formalizimit dhe mbledhjes së të ardhurave dhe gjithë zinxhirit të sektorit të bujqësisë”

Agim Rrapaj, kryetar i këshillit të agrobiznesit

Informaliteti i lartë, përtej faktit që pamundëson mbledhjen e detyrimeve nga institucionet financiare, shkakton probleme edhe për vetë sektorin.

Në harqe të ndryshëm kohorë, qeveria ka ndërmarrë nisma për formalizmin e bujqësisë. Ajo e vitit 2016 ishte ndër më intensivet në të cilën u regjistruan disa dhjetëra fermerë. Mirëpo, iniciativa nuk prodhoi efektet e dëshiruara.

“Pati një iniciativë në vitin 2016 të cilës iu vu një term i bukur, formalizim i prodhimit bujqësor dhe e gjithë gjëja u përqendrua te kompensimi i TVSH, gjoja për të ndihmuar fermerët të cilët ishin të pajisur me NIPT të cilët shisnin me kupona tatimorë. Ishte një nismë tërësisht e dështuar. E gjithë shuma shkoi në xhepat e tregtarëve dhe fatkeqssisht, shumica e këtyre tregtarëve kishin lidhje me politikën dhe fermeri thuajse nuk përfitoi asgjë”.

Ndoc Faslia, ekspert për bujqësinë

Ndonëse qëllimi ka qenë rregullimi i tregut dhe ulja e informalitetit, në disa raste nismat qeveritare kanë krijuar shtigje abuzimi. Përveç problemeve me informalitetin, sektori i bujqësisë përballet edhe me premtime të pambajtura nga qeveritë. Krijimi i Bursës Shqiptare të Prodhimit Bujqësor është një prej tyre. Rajonalizimi i Produkteve Bujqësore, një tjetër premtim i bërë nga Partia Socialiste gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, 8 vite më pas, ka mbetur gjysmë i realizuar.

Ndonëse në 6 vitet e fundit, fondet kanë qenë në rritje (mbulim grafik Programi IPARD II (mld lekë), për shkak të informalitetit të lartë dhe mungesës së kooperimit mes fermave bujqësore, Shqipëria është ndër vendet që përfitojnë më pak ndër fondet e Bashkimit Europian përmes programit IPARD.

Fermerët shqiptarë marrin më pak nga skema mbështetëse se ata në Serbi, Maqedoni të Veriut apo Bosnje Hercegovinë.

Ky është një prodhim i A2 CNN
Gazetar: Marjo Brakaj
Operator: Sokol Qafleshi, Eugert Hoxhaj
Montazh dhe Postproduksion: Eliona Baliaj
Postproduksion Audio: Mersin Imeraj
Arkiva: Dorina Ethemaj
Grafika: Grejsi Shehu
Promocioni: Bledi Linza
Kryeredaktor: Elert Yzeiri

Ky material u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli