Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

"Delta" edhe mes fëmijëve, më pak agresiv se varianti klasik, ngatërrohet me virozën e stinës

Nga A2 CNN
26 Gusht 2021, 15:40 | Aktualitet
"Delta" edhe mes fëmijëve, më pak agresiv se varianti

As fëmijët nuk po i shpëtojnë infektimit nga “Delta”.  Javët e fundit janë shtuar rastet pozitive te moshat pediatrike dhe shtrimet në spital. Shefja e Shërbimit Infektiv Gjeorgjina Kuli thotë se shenjat e “Deltës” janë lehtësisht të ngatërrueshme me virozat e stinës. 

“Kemi rritje të rasteve pozitive për Covid dhe rastet e hospitalizuara në pediatri. Mendoj që kjo rritje i dedikohet variantit Delta. Se përveç shenjave të temperaturës, sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes kanë shenja të prekjes së aparatit gastro-intenstinal; të vjella dhe diarre. Nuk mund të themi nëse është Covid, apo virus tjetër. Diagnoza konfirmohet në bazë të tamponit”.

Megjithatë mutacioni indian te fëmijët po shfaqet më pak agresiv se varianti britanik dhe ai klasik i Covid-19.

“Deri tani format që janë shtuar pavarësisht që kanë qenë me temperatura të larta dhe shenja dehidratimi, format klinike kanë qenë të lehta në të mesme. Nuk kemi parë forma të rënda siç kishim gjatë periudhës së varianteve gjenetike të mëparshme atij klasik dhe atij britanik”.

Referuar situatës epidemiologjike dhe formave si po e kalojnë fëmijët “Deltën”,  Kuli rekomandon rikthimin e tyre në shkolla, por me masa strikte kundër Covid-19.

“Me shifrat që kemi dhe me përhapjen e vaksinimit në trupën mësimdhënëse mendoj që nuk ka rrezik të përhapjes në kushtet e shkollës, nëse zbatojmë rigorizisht rregullat”

Ndërsa për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, ekspertja e Komitetit Teknik thotë se çështja është ende në shqyrtim.

“Në bazë të situatës epidemiologjike dhe vatrave që mund të krijohen në moshën fëminore ne jemi të përgatitur edhe për skenarin e vaksinimit të grupmoshave më të ulëta se 16 vjeç, por momentalisht nuk është vendosur”.

Javët e fundit janë pesëfishuar infektimet nga Delta. Në spitalin Covid janë të shtruar 90 pacientë në gjendje më të rënduar, ndërsa në Infektivin e Pediatrisë janë vetëm 7 fëmijë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani